Sipas analizave të fundit të ujit, të bëra nga Qendra për Shëndet Publik nga Tetova, paralajmërohet se uji i dy çezmave në Banjën e Tetovës është i ndotur dhe rekomandohet që të shmanget përdorimi i tij.
“Uji mineral natyral nga çezmat e vendosur në kthesën e rrugës në Banjë nuk rekomandohet për t’u pirë sepse përmban papastërti, përkatësisht baktere koliforme dhe një nivel të lartë kalciumi. Përveç këtij uji, me defekt është edhe uji nga çezma pranë xhamisë, gjithashtu në Banjën e Tetovës. Gjatë kontrollit të fundit të cilësisë së ujit është konstatuar se është i ndotur fiziko-kimikisht dhe mikrobiologjikisht. Uji mineral i kësaj rubineti përmban baktere koliforme, Escherichia coli dhe enterokok”.
“Sipas kësaj, uji nuk është për përdorim njerëzor, që do të thotë se nuk guxon të përdoret as për pije, as për larje. Kontrolle të tilla të këtyre burimeve në zonën e Banjës kryhen 4 deri në 6 herë gjatë muajve të pranverës dhe verës, dhe kjo nuk është hera e parë në këtë periudhë të vitit që ka ndotje të ujit në këto burime minerale, sepse ndotje të tilla kanë ndodhur edhe në vitet e kaluara”, tha dr. Ratko Davidovski, specialist për higjienë dhe ekologji shëndetësore në Qendrën për Shëndet Publik Tetovë.
Nga Qendra për Shëndet Publik thonë se testi i cilësisë së ujit do të bëhet sërish javën e ardhshme dhe deri atëherë qytetarët këshillohen që të mos e përdorin për pije dhe larje deri në njoftimin e radhës./Telegrafi/
QSHP: Uji mineral në Banjën e Tetovës nuk rekomandohet për pije appeared first on Telegrafi.