Prokuroria Publike njofton se prokurorët nga ekipi që drejton procedurën parahetimore për zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan, në të cilin humbën jetën 59 persona, ndërsa janë lënduar 195 të tjerë, në vazhdimësi po ndërmarrin disa veprime hetimore për sigurimin e dëshmive, kurse veprime të tilla, të cilat përfshijnë marrje në pyetje, analiza dhe ekspertiza voluminoze dhe në raport me më shumë institucione të ndryshme janë duke u zhvilluar.

Megjithatë, për të ruajtur sekretin e procedimit dhe për të parandaluar kompromentimin e dëshmive, Prokuroria thekson se aktualisht nuk është në gjendje të japë më shumë detaje rreth aktiviteteve.

“Numri i përgjithshëm i të dyshuarve për zjarrin e Koçanit deri më tani është 34 persona. Me hetim janë përfshirë 27 persona fizikë dhe tre persona juridikë, ndërsa procedura hetimore ka edhe ndaj shtatë zyrtarëve policorë nga Drejtoria e policisë Shtip dhe Stacioni policor i Koçanit”.

“Ekipi i prokurorëve publik që punon në këtë rast, siç është raportuar më herët, është duke punuar në aktivitete që përfshijnë marrjen në pyetje të më shumë se 300 dëshmitarëve, si dhe veprime të tjera hetimore dhe mendime përkatëse të ekspertëve nga shumë fusha”, thonë nga Prokuroria.

Ndryshe, lidhur me kërkesën e LSDM-së opozitare që të formohet Komision anketues për tragjedinë në Koçan dhe me kërkesë të BDI-së në hetim që të kyçen edhe të huaj, kryeministri Hristian Mickoski, pardje tha se “nuk ikin nga asnjë Komision anketues, por do të dëshironin ta zgjerojnë edhe për rastet tjera përveç Koçanit”./Telegrafi/

Prokuroria: Vijojnë hetime, analiza dhe ekspertiza për zjarrin në Koçan appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version