Prokuroria Themelore Publike në Tetovë njofton se ka dorëzuar ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Tetovë në lidhje të datës 07.04.2025, me të cilin i pandehuri M.P. është dënuar me dy vjet burgim për “vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve në komunikacion”.

Nga Prokuroria thonë se ankesa është bërë për shkak të masës së sanksionit penal, i cili sipas prokurorit është tepër i butë në raport me peshën e krimit të kryer dhe shkallën e përgjegjësisë penale të të pandehurit.

“Ndër rrethanat për të cilat prokuroria kërkon dënim më të rëndë janë edhe pasojat veçanërisht të rënda të aksidentit të komunikacionit, në të cilin lëndime të rënda trupore ka pësuar këmbësorja Teodora Ristovska nga të cilat më pas ka ndërruar jetë”.

“Prokuroria Publike Tetovë e ka marrë parasysh mendimin e Këshillit Gjyqësor të paraqitur në lidhje me këtë lëndë para se të përfundojë ligjërisht. Mirëpo, duke qenë se Prokuroria Publike në procedurën paraprake për këtë ngjarje në asnjë moment nuk është pajtuar me dënimin me dy vjet burgim, prokurori publik kompetent mendon se ka ende hapësirë ​​për korrigjim të sanksionit”.

“Gjithashtu, interesi i përgjithshëm publik, i shkaktuar nga shpeshtësia e krimeve të tilla si dukuri, tregon nevojën e forcimit të politikës penale si mekanizëm parandalues, prandaj prokurori publik vendosi të shfrytëzojë mundësinë ligjore dhe të kërkojë nga Gjykata e Apelit e Gostivarit ndryshimin e dënimit në dënim më të lartë. Gjithashtu, familja e viktimës, e cila nuk ka të drejtë ankese në këtë fazë të procedurës, i ka kërkuar prokurorisë që të apelojë vendimin”, thonë nga Prokuroria./Telegrafi/

Prokuroria dorëzon ankesë për vendimin e Gjykatës së Tetovës për rastin e vdekjes së Teodora Ristovskës appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version