
Paga mesatare neto e programuesve në Maqedoninë e Veriut në janar ka qenë 99.367 denarë (1600 euro), që e bën atë më të lartën në vend, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës. Kjo shumë është pothuajse identike me pagën mesatare në Slloveni, e cila është 1569 euro. Paga mesatare në Maqedoninë e Veriut në janar arriti në 43.050 denarë, që është një rritje prej 8.9% në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Rritja më e lartë është vërejtur në sektorët “art, argëtim dhe rekreacion” (15.6%), “Aktivitete të shërbimeve administrative dhe ndihmëse” (12%) dhe “arsim” (11.4%).
Nga ana tjetër, rënie e pagave është shënuar në kategoritë “ndërtimtari” (- 6,6%), “industrinë përpunuese” (- 3,5%) dhe “aktivitetet financiare” (- 4,5%). Paga mesatare më e ulët është shënuar në “akomodim dhe hoteleri” me 30.932 denarë, ndërsa më e larta në “informacion dhe komunikim” me 80.215 denarë.
Me gjithë rritjen e pagave në vitet e fundit, Maqedonia mbetet ndër vendet me të ardhura më të ulëta në rajon. Mesatarisht, punëtorët në Serbi fitojnë 924 euro në muaj, në Bosnje dhe Hercegovinë 790 euro, në Mal të Zi 1004 euro dhe në Kroaci 1392 euro. Maqedonia, edhe pse me rritje të ndjeshme të pagave në dekadën e fundit, është ende në fund në Evropë dhe në rajon. (koha.mk)
Programuesit me paga më të larta në Maqedoni appeared first on Telegrafi.