Edhe pse një kompani austriake është caktuar që të menaxhojë me mbeturinat në Tetovë, qyteti assesi të pastrohet nga mbeturinat dhe deponitë që krijohen gjithandej nëpër lagje. Në shumë raste janë qytetarët ata që denoncojnë kontejnerët të stërmbushur me mbeturina që nuk merren në kohë.

Nga ana tjetër, SPB-Tetovë ka ngritur procedurë kundër Ndërmarrjes Publike Komunale Sharr për mosgrumbullimin e mbeturinave dhe pengimin e lëvizjes së lirë të njerëzve nëpër trotuare dhe veturave në komunikacion.

“Sektori i Punëve të Brendshme-Tetovë apelon qytetarët dhe ndërmarrjet përgjegjëse për ruajtjen e higjienës publike në Tetovë, që plotësisht dhe pa kushte të respektojnë Ligjin për pastërtinë publike dhe Ligjin për siguri në komunikacionin rrugor për mbeturinat e grumbulluara në zonat e komunikacionit publik, të grumbulluara në korsitë e rrugës. Parashtresa të tilla do të përgatiten edhe në periudhën e ardhshme për të mundësuar qarkullim normal të trafikut nëpër rrugët e qytetit dhe për të kontribuar në sigurinë më të madhe të të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion, veçanërisht të këmbësorëve. Gjobat për mosrespektim të kësaj dispozite ligjore variojnë nga 100 deri në 1000, konkreisht deri në 10 mijë euro, varësisht nëse bëhet fjalë për person fizik apo juridik dhe plus 500 euro për personin përgjegjës të personit juridik”, thonë nga policia e Tetovës.

Kryetar i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, theksoi se arsye për problemet me grumbullimin e mbeturinave ka qenë tranzicioni nga ndërmarrja publike në atë private. Sipas tij pengesë dhe vonesa ka pasur shkaku i procedurave administrative- burokratike dhe teknike që kanë marrë kohë dhe kanë pamundësuar që të funksionojnë në kohë në teren.

“Unë vlerësoj se ditëve të fundit veç më është eliminuar ai problem, ka qenë problem në fazën e tranzicionit të përgjegjësive nga ndërmarrja publike në kompaninë private. Kemi punuar bashkërisht gjatë gjithë kësaj periudhe për eliminimin e të gjitha pengesave që janë paraqitur që nga Deponia Rusino e cila kishte kufizime në pranimin e mbeturinave deri në organizimin e regjistrimit të të gjithë atyre pajisjeve të cilat i kish kompania private dhe të cilat ishin procedura të pakuptimta të regjistrimit të kamionëve dhe të cilat nuk mund të dilnin në komunikacion pa qenë të regjistruara në emër të ndërmarrjes së re deri te pengesat burokratike të hapjes së llogarisë që zgjasin me ditë këtu te ne”, deklaroi Kasami.

Përndryshe, Kasami tha se këto pengesa tani janë tejkaluar dhe se ndërmarrja private do të bëjë largimin e mbeturinave nga kontejnerët, trotuaret dhe nëpër gjitha lagjet e qytetit. Ndërsa njoftoi se të punësuarit e kësaj ndërmarrje do të transferohen në një objekt të ri në fshatin Pallçisht, me çka do të kenë kushte shumë më të mira se sa ku kanë qëndruar me vite deri më tani.

Problemi me mbeturinat në Tetovë assesi të zgjidhet appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version