Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari, në emisionin “PodGo” ka folur për mosmarrëveshjet brenda koalicionet VLEN, si dhe mundësinë që të garojnë së bashku në zgjedhjet lokale.
Ai tha se në njërin nga takimet liderëve të VLEN-it u ka kërkuar që në zgjedhjet lokale të shkojnë me lista të ndara për këshilltarë komunal, ndërsa me kandidat të përbashkët për kryetarë të komunave. Gjithashtu ai tregoi edhe ofertën tjetër që ua ka dhënë atyre, por që janë refuzuar.
“Kam kërkuar që me listat për këshilltarë të dalim veçmas, jo për të garuar në mes vete, por për të përfshirë më shumë njerëz në garë. Në Komunën e Tetovës ka 31 këshilltarë, nëse dalim me një listë do të kemi përçarje në anëtarësitë tona. Por nëse dalim me lista të veçanta do të kemi 144 kandidatë për këshilltarë dhe mobilizimi do të jetë më i madh. Për këtë opsion nuk ishin të mendimit kryetarët tjerë të koalicionit VLEN”.
“Dhe unë atëherë e ofrova opsionin e dytë që është që partitë tjera brenda VLEN-it të dalin me listë të përbashkët, ndërsa Aleanca për Shqiptarët me listë të veten. Nuk pretendojë që ne duhet të jemi të privilegjuar, por do të kemi përçarja nëse shkohet me një listë”, tha mes tjerash Taravari.
Ai theksoi se këto ditë do të ketë sërish takime në mes VLEN-it dhe se ende nuk është vendosur se si do të shkojnë në zgjedhjet lokale.
“Unë i kam autorizuar deputetët e ASH-së që të merren vesh me deputetët tjerë të VLEN-it dhe unë jam i pari që do ta përkrahi atë marrëveshje. Pra deputetët e mi e kanë autorizimin për të negociuar me deputetët tjerë të VLEN-it për të arritur marrëveshje”, tha Taravari./Telegrafi/
Përplasjet brenda VLEN-it, Taravari: U kam bërë dy oferta liderëve tjerë për zgjedhjet lokale appeared first on Telegrafi.