Mesditën e sotme në repartin e kirurgjisë në Spitalin klinik të Tetovës, ka ardhur deri tek përleshja fizike mes dy kirurgëve. Sipas informatave nga drejtoria e spitalit, kjo nuk hera parë që ka pasur zënka të këtilla mes këtyre dy personave.

Për rastin në fjalë, nga drejtoria e Spitalit të Tetovës thonë se përveç që e kanë lajmëruar në polici, do të ngrenë edhe komision nga Spitali Klinik i Tetovës, për të vërtetuar saktë se çka ka ndodhur mes dy mjekëve, për të pasuar më tej edhe me masat nga drejtoria e spitalit.

“Mund tua konfirmojmë se sot rreth 13 midis dy kirurgëve, në Spitalin Klinik në Tetovë, ka ndodhur rrahje. Nuk i japim dot emrat e mjekëve shkaku i prezumimit të pafajësisë deri sa organi gjyqësor të caktoj fajësinë. Inicialet janë D.H. dhe Z.S. Drejtori i Spitalit personalisht ka komunikuar edhe me Stacionin policor në Tetovë dhe me krye shefin e policisë dhe presim organet të veprojnë. Në kuadër të kompetencave tona patjetër që do marrim masa, mirëpo rasti për momentin është objekt trajtimi nga organet e policisë. Pasi të kemi vendim për njërin apo tjetrin apo për të dy bashkë, do ndërmarrim edhe masat e nevojshme konform Ligjit”, tha Valon Abdylhamiti, nga Spitali i Tetovës.

Rasti u konfirmua edhe nga Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës, nga ku thonë se paraqitja është bërë mesditën e sotme nga Spitali Klinik i Tetovës, dhe po merren masa për zbardhjen e rastit.

 

Përleshje fizike në mes dy mjekëve në Spitalin e Tetovës appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version