Sonte përfundon fushata zgjedhore për zgjedhjet presidenciale, me çka nis edhe heshtja zgjedhore. Kandidatët për president kanë mbajtur tubimet përmbyllëse, duke kërkuar mbështetjen nga qytetarët më 24 prill.

Kandidati për president i LSDM-së Stevo Pendarovski theksoi se asnjëherë nuk ka dhënë shpresa dhe premtime të rreme për realizimin e shpejtë të qëllimeve strategjike të shtetit dhe qytetarët do të mund të kuptojnë se programi i kujt është i zbatueshëm për t’u realizuar.

“Rreziku më i madh është nëse u japim shans në zgjedhje atyre që i kemi parë si qeverisën me popullin për njëmbëdhjetë vjet. Pas më shumë se tre dekadash pavarësi, jam i bindur se qytetarët maqedonas shumë mirë e dinë programi i kujt është real dhe i kujt është në hap me kohën”, theksoi Stevo Pendarovski.

Gordana Siljanovska-Davkova nga Gazi Baba e Shkupit, theksoi se pasojat e pushtetit aktual do të ndjehen shumë gjatë dhe, siç thotë ajo, nuk kanë vlera evropiane. Ajo theksoi se si presidente do të shfrytëzojë të drejtën për t’iu drejtuar më shpesh deputetëve.

“Do të mundohem në Kuvend para deputetëve t’i adresoj jo problemet e mia, por problemet e juaja. Do t’u kërkoj të mbajnë llogari gjatë miratimit së ligjeve dhe vendimeve”, tha Gordana Siljanovska-Davkova.

Kandidati për president Stevço Jakimovski sot e vazhdoi fushatën e tij në takime me qytetarët në komunën e Shuto Orizares. Ai premtoi se do të angazhohet në mënyrë aktive për respektimin e vazhdueshëm të Ligjit për përmbaruesit, në mënyrë që, siç shton ai, të parandalohet tërbimi i tyre.

“Unë si president i Republikës së Maqedonisë do të insistoj që ky ligj të respektohet dhe të ndalet ky tërbim i përmbaruesve, sepse në rrezik më të rëndë janë 83 mijë familje dhe të gjitha janë familje të varfra me të ardhura të ulëta”, tha Stevçe Jakimovski.

Kandidati i Frontit Europian Bujar Osmani, në ditën e fundit të fushatës vlerësoi se ka bërë fushatë pozitive. Ai u kërkoi atyre që të kenë kujdes nga lajmet e rreme dhe të marrin pjesë aktive në jetën politike.

“Këto janë instrumente sistematike, të projektuara mirë, si të forcave globale, ashtu edhe të forcave rajonale, por edhe të forcave të brendshme që duan të minojnë besimin e qytetarëve tek institucionet, që duan t’i pasivizojnë të rinjtë nga pjesëmarrja në aktivitete politike”, tha Bujar Osmani.

Kandidatja Biljana Vankovska në rrjetet sociale ka shkruar se ka ndjenjën e përgjegjësisë, sidomos duke pasur parasysh gjendjen në të cilën ndodhet bota. Sipas saj, Maqedonia ka nevojë për një president që e sheh pasqyrën globale. Fushatën e takimeve me qytetarët do ta vazhdojë në Kërçovë dhe Gostivar.

Kandidati i VLEN-it për president, Arben Taravari sot mbajti tubimin e fundit në Shkup në sheshin “Skënderbeu”. Në fjalimin e tij, Arben Taravari theksoi se në tubimin e fundit në Shkup, vjen pas shumë takimeve dhe tubimeve anembanë vendit duke përfshirë edhe diasporën dhe se kanë dëgjuar nga afër problemet e qytetarëve me të cilat ballafaqohen tash e 22 vite.

“Varfëria dhe mungesa e punës, problemet në klinikat dhe spitalet, mungesa e investimeve dhe subvencioneve, këto janë fatkeqësisht realiteti i popullit tonë pas 22 viteve me qeveri të papërgjegjshme dhe të korruptuar. Po vijmë këtu, edhe pas tubimeve masive në diasporë, ku morëm mbështetje nga ata që ndihmojnë çdo ndryshim pozitiv, nga vëllezërit dhe motrat tona në mërgatë. Po vijmë këtu pas takimeve me Albin Kurtin dhe me shumë miq e vëllezër nga Kosova, të cilët maksimalisht po e përkrahin fitoren tonë. Shumë e madhe është nevoja për ndryshim. Jemi të vetëdijshëm se çfarë detyre na pret”, tha Taravari.

Ndërsa kandidati Maksim Dimitrievski ka mbajtur tubim në Strumicë, ndërsa tha se dëshiron që Maqedoninë ta sheh atje ku e ka vendin – BE.

“Ne duam ta shohim Maqedoninë aty ku i takon – në BE, por duke respektuar dinjitetin, integritetin, gjuhën maqedonase, kulturën, vazhdimësinë, vetëvlerësimin, historinë tonë dhe gjithçka që është maqedonase, sepse kjo Republikë e Maqedonisë, sido që ta quajnë e kanë ndërtuar të parët tanë maqedonasit dhe po të vareshim nga dëshirat e të tjerëve rreth nesh nuk do të kishim shtetin tonë dhe të pavarur. Dhe më besoni, do ta mbrojmë me fjalë dhe me vepra nëse është e nevojshme”, tha Dimitrievski.

Nesër (23 prill) fillon heshtja zgjedhore, ndërsa zgjedhjet do të mbahen më 24 prill (e mërkurë)./Telegrafi/

Përfundon fushata për zgjedhjet presidenciale, nesër nis heshtja zgjedhore appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version