Kandidati i LSDM-së dhe presidenti aktual i RMV-së Stevo Pendarovski, ka dalë në konferencë për shtyp pas shpalljes së rezultateve të para të zgjedhjeve të sotme për kryetar shteti.
Pendarovski tha se rezultatet nuk janë siç kanë pritur, duke shtuar se prej nesër do të fillojnë takimet me qytetarët.
“Ndoshta diferenca do të jetë rreth 130 mijë vota. Nga nesër fillojmë me takimet me qytetarët që i kemi praktikuar deri më tani. Ishin shtatë kandidatë dhe për këtë votat u ndanë në disa anë dhe me siguri disa nga kandidatët që u larguan i morën votat e supozuara. Ne po e nisim nga fillimi dhe detyra ime do të jetë të promovoj konceptin në të cilin besoj thellë, atë koncept të një shteti që nuk është i izoluar, i integruar në Evropë dhe i një shteti që nuk ka ndarje të brendshme në asnjë bazë”. ka thënë Pendarovski.
Ai pret që në raundin e dytë shumë më tepër qytetarë ta njohin konceptin që ai përfaqëson.
“Nuk do të bëj marrëveshje me asnjë nga kandidatët për të ashtuquajturin transferim mekanik të votave. As në 2014 dhe as në 2019 nuk kam bërë një gjë të tillë që mekanikisht t’i marr votat askujt. Këtë nuk do ta bëj as tani, thjesht konceptin tim do ta prezantoj para të gjithë qytetarëve”, theksoi Pendarovski./Telegrafi/
Pendarovski: Rezultatet nuk janë siç prisnim, nuk do të bëj marrëveshje me asnjë kandidat për raundin e dytë appeared first on Telegrafi.