Prokuroria Themelore Publike në Tetovë ka lëshuar urdhër për kryerjen e hetimeve kundër 59-vjeçarit, banues në Çellopek, i cili dje ka vrarë dy persona dhe ka tentuar të vrasë katër persona të tjerë nga e njëjta familje.
Shkak i vrasjes së dyfishtë në Çellopek është bërë një rrugë që kanë përdorur së bashku. I dyshuari e ka takuar tani të ndjerit, kur kanë dalë në oborr dhe kanë filluar debatin për një rrugë, të cilën e kanë përdorur së bashku dhe për të cilën kanë pasur mosmarrëveshje më parë.
Pas debatit, i dyshuari ka nxjerrë një armë që e posedonte pa leje dhe ka filluar të qëllojë në drejtim të viktimave. Njëri prej tyre është kundërpërgjigjur me të shtëna nga arma e zjarrit për të cilën ka pasur patentë, por i dyshuari ka marrë jetën e dy viktimave – babait dhe djalit.
Më pas ai ka vazhduar të qëllojë në drejtim të katër personave të tjerë, të afërm të tyre, duke i shkaktuar lëndime me armë zjarri njërit prej tyre. Me të mbërritur në vendin e ngjarjes pjesëtarët e SPB Tetovë, i dyshuari ka rezistuar dhe nuk ka dashur të dorëzohet, por është kapur dhe është arrestuar.
Ai po hetohet për veprën penale “vrasje” dhe do të jetë përgjegjës edhe për “vrasje në tentativë”, si dhe “armëmbajtje pa leje”. Pas propozimit të prokurorit publik, gjyqtari i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore në Tetovë të dyshuarit i caktoi masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Paraburgim 30 ditor për autorin e vrasjes në Çellopek të Tetovës, Prokuroria tregon si ka ndodhur ngjarja appeared first on Telegrafi.