
Drejtori i Drejtorisë për zbatim të sanksioneve, Aleksandar Pandov, konsideron se problemi me telefonat, drogën dhe aktivitetet tjera ilegale nëpër burgje mund të zgjidhet, por vetëm nëse ka dënim për policët e korruptuar të burgjeve, të cilët sipas vlerësimeve të tij, në disa burgje janë mbi 50 për qind.
“Kemi të bëjmë me një grup punonjësish dhe të burgosurish të lidhur në rrjet. Nëse mund të heqim pjesë-pjesë të korruptuarit në sistemin e burgjeve, mund ta zgjidhim problemin me telefonat, drogën dhe sendet e tjera të paligjshme. Përderisa i kemi dhe përderisa ata besojnë se mund t’ia dalin, do të kemi telefona, drogë, sende të paligjshme”, tha Pandov në konferencën e sotme për media në Qeveri.
Për krahasim, ai theksoi se në vend për nëntë muaj janë gjetur rreth një mijë telefona, ndërsa në Kroaci në vitin 2023 vetëm 26 celularë, ndërsa në Kosovë 51 telefona në vitin 2024.
“Ne kemi trashëguar një sistem jashtëzakonisht të korruptuar, por ajo që është e pëlqyeshme është se ekziston një dëshirë e madhe për t’u marrë me atë krim”, tha Pandov.
Lidhur me atë se a do të ishte më mirë vendosja e bllokuesve si zgjidhje për celularët, Pandov tha se problemi është se sot shumica e burgjeve janë të rrethuara me objekte dhe nëse vendosen bllokues do të bllokohen edhe telefonat e qytetarëve që jetojnë apo punojnë në këto objekte.
“Në Kroaci nuk ka bllokues dhe njëkohësisht nuk ka telefona. Të gjithë ata që janë në sistemin e burgjeve për shumë vite më sigurojnë se nuk ka punë më të mirë se kryerja e bastisjeve”, tha Pandov./Telegrafi/
Pandov: Në disa burgje mbi 50 për qind e policëve janë të korruptuar appeared first on Telegrafi.