Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani e udhëhoqi manifestimin tradicional të NATO-s, me çka filluan Ditët e NATO-s në vend, me të cilat përkujtojmë 4 vjet nga anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO dhe 75 vjet nga formimi i Aleancës, njoftojnë nga MPJ.
Osmani, shtojnë nga atje, theksoi se integrimi në NATO dhe BE është përgjigjja më e mirë ndaj ambicieve perandorake ruse, duke theksuar se Ukraina është vetëm ndalesa e parë dhe një ndër të tjerat do të jetë Ballkani Perëndimor.
“Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO u realizua në një moment shumë të përshtatshëm, para fillimit të agresionit rus në Ukrainë. Në këtë mënyrë vendi nuk është vetëm faktor stabilizimi i rajonit, por edhe nxitës për vendet e fqinjësisë sonë, të cilat kanë vullnet dhe janë të gatshëm të qëndrojnë pas vlerave dhe synimeve të përbashkëta euroatlantike”. tha Osmani, duke theksuar se tani është koha për t’i përshpejtuar proceset integruese europiane dhe euroatlantike.
“Tani, më shumë se kurrë, integrimi euroatlantik dhe europian në Ballkanin Perëndimor është çelësi për përmirësimin e sigurisë dhe konsolidimin e stabilitetit. Proceset integruese euroatlantike janë mjetet më të mira demokratike për parandalimin e konflikteve dhe ndërhyrjeve dashakeqe të palëve të treta”, tha Ministri.
Në ngjarje foli edhe Zëvendësi i parë i kryetarit të Qeverisë për çështje evropiane, Bojan Mariçiq i cili tha se kemi përmbushur ëndrrën e shumë gjeneratave dhe se duhet të përmbushim ëndrrën e Bashkimit Evropian, tani më reale se kurrë më parë.
“Rrethanat e sotme konfirmojnë se ne morëm vendimin e duhur, se ishim në anën e duhur. Ne kemi një justifikim të fortë për sakrificat e mëdha politike që bëmë sepse ishin të vlefshme për qytetarët dhe shtetin. Ashtu siç nuk hoqëm dorë nga NATO-ja, ashtu, pavarësisht nga të gjitha sfidat, nuk ka heqje dorë as nga BE-ja. Ashtu siç kemi vënë në plan të parë interesat e qytetarëve dhe të shtetit në krahasim me interesat personale apo partiake kur kemi marrë vendimet e vështira për NATO-n, të njëjtën gjë do të bëjmë edhe për anëtarësimin tonë në BE. Por, si sot për NATO-n, kur të festojmë përvjetor të anëtarësimit në BE, e dimë se qytetarët do të na jenë mirënjohës”, tha Mariçiq, duke theksuar se me qëndrimin e përgjegjshëm që kemi ndaj reformave dhe negociatave për anëtarësim me BE-në, do të kemi sukses në arritjen e qëllimit, Maqedonia e Veriut të jetë një histori e suksesshme evropiane deri në vitin 2030.
Përfaqësues të shumtë të trupit diplomatik në vend u drejtuan me urime për 4-vjetorin e anëtarësimit të vendit në NATO, kontributin e tij në sigurinë kolektive dhe pikëpamjet e tyre për sfidat aktuale./Telegrafi/
Osmani: Integrimi në NATO dhe BE si përgjigjja më e mirë ndaj ambicieve perandorake ruse appeared first on Telegrafi.