Ende nuk ka marrëveshje konkrete, atë që mund ta ndaj është se bisedimet po zhvillohen në frymë pozitive, deklaroi zëdhënësi i OBRM-PDUKM-së Naum Stoilkovski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse Lëvizja ZNAM bëhet pjesë e Qeverisë dhe cilat dikastere do t’i merrnin.
Mbrëmë vonë nga Lëvizja ZNAM informuan se ishte mbajtur takim për bashkëpunim me OBRM-PDUKM në nivel të nënkryetarëve të partive, në të cilin është biseduar për përcaktimet strategjike, parimet politike dhe platformën politike për bashkëpunim.
“Lëvizja ZNAM – Për Maqedoninë tonë, platformën e saj e bazon në shtyllat ideologjike të Lëvizjes ZNAM – Për Maqedoninë tonë, që janë Maqedonia shtet modern, demokratik, evropian i bazuar në vlerat e Ilindenit dhe KAÇKM-së, integrimin e vendit në Bashkimin Evropian në mënyrë dinjitoze; pastaj Republika e Maqedonisë shtet në të cilin ka drejtësi për të gjithë dhe zero tolerancë për korrupsionin; Maqedonia si shtet i vetëqëndrueshëm që do të prodhojë ushqim dhe energji të mjaftueshme për nevojat e saj, reforma të përshpejtuara dhe efikase në ekonomi dhe politikat sociale në drejtim të përmirësimit të standardit jetësor të qytetarëve si dhe marrëdhënie të qëndrueshme ndëretnike”, thuhet në kumtesën e ZNAM-it.
Më parë dje, nga OBRM-PDUKM informuan se bisedimet me partnerët e koalicionit për Qeverinë e ardhshme janë në fazë të avancuar, por ende nuk ka marrëveshje përfundimtare dhe deri në momentin zyrtar kur do të mund të shpallet nuk do të njoftojmë kurrfarë detajesh.
OBRM-PDUKM më parë doli me qëndrimin se kanë konsoliduar 61 deputetë. Qeveria e re, siç paralajmëruan më parë nga OBRM-PDUKM pritet të formohet deri më 20 qershor.
Seanca konstituive e përbërjes së re parlamentare është caktuar për të martën më 28 maj. Në përbërjen e re parlamentare koalicioni “Maqedonia juaj” i udhëhequr nga OBRM-PDUKM ka më së shumti deputetë – 58, koalicioni Për një të ardhme evropiane i udhëhequr nga LSDM ka 18 deputetë, koalicioni i Frontit Evropian i udhëhequr nga BDI ka njëjtë 18 deputetë, koalicioni VLEN 14, Levica gjashtë dhe ZNAM gjashtë deputetë.
OBRM-PDUKM: Ende nuk ka marrëveshje konkrete me ZNAM appeared first on Telegrafi.