Komuna e Tetovës ka bërë të ditur se prej ditës së martë oborret e shkollave në qytet do të jenë hapura për parkimin e automjeteve.
“Duke filluar nga dita e martë oborret e shkollave fillore ‘Istikball’, ‘Liria’, ‘Goce Dellçev’ si dhe Gjimnazi ‘Kirill Pejçinoviq’ në të dy objektet do të jenë të hapura për parkim të automjeteve. Parkimi do të jetë falas pa pagesë. Kjo do ta lehtësojë komunikacionin gjatë verës kur mërgimtarët tanë vijnë për pushime dhe kemi frekuentim më të madh”, thuhet në njoftimin e komunës së Tetovës.
Gjithashtu, nga komuna e Tetovës u bëjnë thirrje vozitësve që të respektojnë rregullat në komunikacion, të mos bllokojnë nënstacionet pritëse të udhëtarëve si dhe të shfrytëzohet autobusi i qytetit për të ulur kështu ndotjen e ajrit dhe për të mos shkaktuar kaos në komunikacion.
Gjatë verës për të përballuar fluksin e lartë të automjeteve, komuna e Tetovës oborret e shkollave fillore dhe të mesme në pjesën qendrore i shndërron në parkingje.
Nga komuna e Tetovës thonë se edhe pse tashmë disa vite ndodh që oborret të lirohen për parkim, të njëjtit nuk janë dëmtuar dhe bëjnë thirrje tek qytetarët që të jenë të kujdesshëm. Apelojnë që qytetarët të parkohen mirë me qëllim që të mos krijohet kaos dhe të ketë hapësirë për më shumë vetura.
“Ndër vite që i kemi liruar këta pjesë të oborreve për parkim, deri më tash nuk kemi hasur dëme të shkaktuara qoftë në objektet shkollore qoftë në pajisjet që janë të vendosura në oborr. Besojmë dhe shpresojmë që qytetarët do të hasin në mirëkuptim dhe nuk do të ketë problem eventual apo dëmtim eventual të këtyre oborreve”, tha Nazmi Dauti, përfaqësues i komunës së Tetovës.
Gjithashtu, këtë verë edhe disa oborre të shkollave fillore dhe të mesme në qytetin e Gostivarit do të lirohen për parkim. Në të dyja qytetet e Pollogut ka mungesë të vendeve të parkimit, prandaj pushtetet lokale në koordinim me policinë kanë marrë këtë hap që të shtohen vendet e parkimit. Parkimi është pa pagesë dhe pa kufizime në këto oborre dhe zgjat deri kah fundi i muajit gusht, disa ditë para se nxënësit të rikthehen në shkollë.
Në Tetovë dhe Gostivar problemi me parkingun është i kamotshëm dhe krahas parkingut zonal që funksionon në disa rrugë kryesore, në pjesët tjera ka mungesë të theksuar të vendeve të parkingjeve. Gjendja pritet të përkeqësohet me fillimin e kthimit të mërgimtarëve kur në rrugët e Pollogut ka dyfishim të automjeteve, ndërsa kapacitetet për parkim janë të vogla për të përballuar tërë fluksin e automjeteve, kryesisht në pjesët qendrore.
Oborret e shkollave në Tetovë lirohen për parkim appeared first on Telegrafi.