Rreth 7.500 nxënës të moshës 15 vjeçare do të përfshihen në testimin “PISA 2025” që pritet të përmbyllet nga mesi muajit maj. Nga Qendra Shtetërore e Provimeve thanë për “Alsat” se këtë vit fokusi i Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve është në Shkencat Natyrore kundrejt Gjuhës amtare dhe njohurive në Matematikë. Nxënësit që tashmë morën pjesë në këtë testim thanë se shumë nga pyetjet ishin logjike ndërsa disa të tjera nga materiali që kanë mësuar në arsimin fillor. Ajo që ka shqetësuar disa nga nxënësit dhe që nuk janë përgjigjur ishin pyetjet që kanë të bëjnë me familjen, arsimimin e prindërve dhe kushtet ku banojnë.

“Shumë mirë kaluam, ishte pak i vështirë testi por jo edhe aq shumë. Pyetjet ishin nga shkolla fillore. Ka pas pyetje edhe rreth jetës tëndë. Qëndrova deri në fund, rreth katër orë zgjati testi PISA”, tha një nxënës.

“M’ka bë përshtypje se ka pas shumë pyetje logjike, ato nuk më pëlqenin sepse ishin disa gjëra personale. Përshembull çfarë shkollimi ka kryer prindi, çka punon, sa dhoma i ke, ku jeton në banesë ose në shtëpi. Kam menduar se do të dal emri dhe mbiemri im dhe këto informacionet e mia prandaj nuk kam dashur. Je përgjigjur në këto pyetje? Në disa, te të tjerat që janë shumë personale jo”, u shpreh një tjetër nxënës.

“Kanë qenë disa pyetje që nuk ke mund të përgjigjësh, përshembull për prindërit ku janë të punësuar, ku jetojmë. M’kanë ardhë shumë të çuditshme se nuk është patjetër me tregu se ku jetojmë ne ose ku janë të punësuar prindërit e mi”, theksoi një nxënëse.

Sipas drejtoreshës së QSHP-së, pyetjet e tilla japin një pasqyrë të qartë nëse kushtet e ekonomike ose të banimit janë ndër shkaktarët e mos arritjes së sukseseve në mësim të fëmijëve. Gjithashtu, nga QSHP kujtojnë se këto ndryshime do të nxjerin në pah dhe zhvillimin e teknologjisë në vendet që përfshihen në testime.

“Ato pyetje janë të pranishme në pyetësorin e nxënësve. Janë përgjigjur për arsyen e thjeshtë që të mund t’i shohim në bazë të nivelit arsimor të prindërve, për të krijuar një pamje nga pikëpamja sociale. Kjo do të thotë në varësi të asaj se sa kushtet që ka një fëmijë ndikojnë në të mësuarit dhe zhvillimin e tij. Unë i kuptoj fëmijët, jo çdo fëmijë dëshiron të shkruajë për atë që ka dhe çfarë nuk ka, por ne kemi nevojë për këto përgjigje, gjegjësisht ka nevojë Studimi ndërkombëtar sepse prej këtu marrim rezultatet, e kanë të nevojshme për analiza dhe raporte”, deklaroi Daniella Jovçevska Mihajllovska, drejtore e QSHP-së.

Testimi “PISA 2025” ka filluar më 1 Prill ndërsa do të përfshijë 125 shkolla. Në “PISA 2022” prej 81 shteteve gjithsej, nxënësit e Maqedonisë së Veriut u radhitën në vendin e 71-të për njohje të gjuhës dhe në vendin e 61 për njohjen e matematikës. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thanë se këto rezultate ishin si pasojë e pandemisë COVID 19. Në testimin paraprak të zbatuar në vitin 2018, nxënësit e Maqedonisë ishin listuar në vendin e 67-të nga gjithsej 77 shtete pjesëmarrëse në pjesën e leximit me kuptim dhe matematikë dhe në vendin e 63 në pjesën e shkencave natyrore. Maqedonia e Veriut ka marrë pjesë në testimin e PISA-s edhe në vitet 2000, 2015 dhe 2018. /Alsat/

Nxënësit në RMV janë duke iu nënshtruar testimit PISA, fokusi te shkencat natyrore appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version