Ministri i transportit dhe Lidhjeve Aleksandar Nikollovski në një intervistë për Alsat tha se ish drejtuesi i Ndërmarrjes “Rrugët Shtetërore”, kuadër i BDI-së, në bashkëpunim me struktura të tjera të Qeverisë nëpërmjet projektit të autostradës Shkup-Bllacë kanë dashur vetëm të përfitojnë materialisht. Deri tani tha se traseja është ndërruar tre herë duke bërë që të ndryshojë edhe çmimi.
Ai tha se kompania ‘Suez’ e ka njoftuar Ndërmarrjen “Rrugët Shtetërore” se projekti me tunelet, është i dështuar dhe mënyra se si janë projektuar tunelet, nuk mund të realizohet në praktikë pasi është në kundërshtim me standardet evropiane dhe BE-ja nuk do ta pranojë këtë rrugë si autostradë.
“Dëshmia më e mirë është lëvizja e pronës qartë shihet se si një numër i pronave në trase janë rishitur pronarëve të tjerë me qëllim që të përfitohet nga eksproprijimi dhe ky është vetëm një dokument nga shumë që i kam. Është interesante se nga BDI që e kanë udhëhequr “Rrugët Shtetërore”, në reagimin e tyre nuk thanë se nuk është e vërtetë, pra pranuan se është e vërtetë, vetëm komentuan nëse kompanitë janë të afërt me ta apo jo. Me vetë faktin se vërtetuan se qëllimisht është ndryshuar pronësia e tokës, vërtetojnë se qëllimisht është ndryshuar traseja”.
“Unë e kam informuar Prokurorinë Publike për mënyrën se si kanë punuar në Ndërmarrjen për Rrugë Shtetërore, tash u mbetet atyre që të nisin procedurë. E di se Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion ndoshta kanë mendime të ndryshme për struktura të caktuara kadrovike, por jam i sigurt se pjesa tjetër e Prokurorisë në mënyrë të ndershme do ta bëjë punën dhe do ta hetojë krimin në Ndërmarrjen “Rrugët Shtetërore”. Përndryshe, qëllimi im dhe i Qeverisë është që të ndërtohet autostrada Shkup-Bllacë, jo të mos ndërtohet dhe për këtë i hapim këto tema”, tha Aleksandar Nikollovski, Ministër i Transportit dhe Lidhjeve./Alsat/
Nikollovski: Do ta ndërtojmë autostradën Shkup-Bllacë, prokuroria ta hetojë krimin appeared first on Telegrafi.