Po hyjmë në një cikël të fuqishëm investues në ndërtimin dhe modernizimin e rrjetit rrugor dhe hekurudhor në Maqedoni, përmes të cilit do të ndërtojmë rrjete transporti cilësore në rajon dhe do të kontribuojmë për integrim më të shpejtë me Bahkimin Evropian, porositi sot zëvendëskryeministri dhe ministër i transportit Aleksandar Nikolloski në takime me kolegët e tij nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe me përfaqësues nga institucione të ndryshme të Unionit në kuadër të takimit dyditor të ministrave të transportit të BE-së që po mbahet në Hungari.
Ministria e Transportit njoftoi se Nikolloski theksoi rëndësinë e mbështetjes së vendeve të Bashkimit Evropian për realizimin e këtyre projekteve dhe, siç tha, realizimi i tyre do të nënkuptojë zhvillim ekonomik dhe komunikim më të mirë për të gjitha vendet e rajonit.
“Në takime të ndara me ministrin e Ndërtimtarisë dhe Investimeve të Hungarisë, Janosh Lazar, me zëvendëskryeministren dhe ministre e Infrastrukturës së Shqipërisë, Belinda Baloku, si dhe me kryetarin e Komunitetit të Hekurudhave Evropiane, Alberto Macola, informoi se Maqedonia po shton investimet në ndërtim dhe modernizim në korridoret evropiane të transportit 8 dhe 10, që lidh aksin Lindje-Perëndim, si dhe një lidhje e shpejtë në jug me Athinën dhe në veri me vendet e Evropës Qendrore. Ai theksoi përkushtimin e fuqishëm të Qeverisë së Maqedonisë për ndërtimin e autostradave moderne në pjesën perëndimore të Korridorit 8, të cilat duhet të sigurojnë lidhje cilësore rajonale, ndërsa theksoi se deri në fund të këtij viti do të përfundojë pjesa lindore e këtij korridori”, informon Ministria e Transportit.
Për lidhjen hekurudhore, thuhet në kumtesë, prioritet është ndërtimi i hekurudhës së shpejtë me dy binare në Korridorin 10, projekt ky që do t’i japë vlerë shtesë ekonomisë së përgjithshme në rajon. Për hekurudhën e Korridorit 8, ai theksoi se Maqedonia nuk heq dorë nga ideja e lidhjes hekurudhore cilësore me Bullgarinë.
“Ndërtimi i hekurudhës së shpejtë të Korridorit 10 si dhe lidhjet rrugore dhe hekurudhore cilësore me Shqipërinë dhe Bullgarinë janë projekte që do të sjellin përfitime të mëdha për të gjitha vendet e rajonit dhe do të mundësojnë transport të besueshëm dhe të shpejtë të produkteve dhe udhëtarëve. Prandaj duhet të veprojmë së bashku me programe dhe plane të mira zhvillimore dhe të kërkojmë mbështetje të fuqishme nga partnerët tanë nga Evropa”, theksoi ministri Nikolloski.
Ai informoi se vendi ka filluar edhe me modernizimin e disa pikave kufitare si pjesë e projektit për lehtësimin e tregtisë dhe transportit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Takimi i ministrave të vendeve të Bashkimit Evropian është një mundësi e shkëlqyer për të prezantuar planet dhe aktivitetet tona për zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës në Maqedoni dhe për të dhënë një kontribut serioz në zhvillimin dhe integrimin rajonal të të gjithë rajonit”, theksoi ministri Nikolloski.
Në takime, thuhet në kumtesë, ai theksoi përkushtimin e vendosur të Qeverisë për arritjen e synimeve të përcaktuara të vendit që kanë të bëjnë me procesin inkuadrues për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Nikolloski prezantoi programin e investimeve të Qeverisë para ministrave të Transportit të BE-së appeared first on Telegrafi.