
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski i cili me delegacionin qeveritar ndodhet për vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe, njoftoi se janë duke u dakorduar lidhur me fluturimet me “Air Arabia”.
Nikolloski theksoi se turizmi, infrastruktura dhe arsimi janë sektorët e bashkëpunimit në të cilat janë fokusuar gjatë vizitës me delegacionin qeveritar në EBA.
“Kemi takime të shumta dhe do të nënshkruajmë disa marrëveshje për bashkëpunim ekonomik. Po flasim edhe për bashkim të drejtpërdrejtë, tashmë kemi një marrëveshje me Flaj Dubai për fluturim Dubai-Shkup i cili së shpejti duhet të fillojë, ndërsa po bisedojmë dhe me Er Arabian për hapjen e së paku dy fluturimeve prej të cilave një shpresoj të jetë në rajonin e Ohrit me çka në mënyrë shtesë do të zhvillonte turizmin”, deklaroi Nikolloski.
Delegacioni i kryesuar nga kryeministri Hristijan Mickoski sot realizoi takime me Odat e biznesit në Emiratet Sharxh dhe Dubai.
“Flasim për mundësi për investime në Maqedoni në pjesën e infrastrukturës, turizmit dhe në pjesën e bujqësisë. Flasim për mundësitë e mëdha që i sjell turizmi Maqedonisë dhe turizmi malor ashtu edhe ai liqenor. Gjithashtu, për korridoret 8 dhe 10 të cilët janë të rëndësishëm për lidhjen e gjithë Evropës, jo vetëm me Maqedoninë, po i prezantojmë para Odave ekonomike në Emiratet e Bashkuara Arabe si një mënyrë për të tërhequr investitorë në Maqedoni. Gjithashtu dhe pjesa politike e vizitës është jashtëzakonisht e rëndësishme, kishim një takim jashtëzakonisht të mirë me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, gjatë ditës së nesërme do të kemi një takim me kryeministrin, ndërsa sot do të nënshkruhen në nivel ministror disa marrëveshje të rëndësishme për bashkëpunim ekonomik, arsimor dhe turistik të cilat do të kontribuojnë në një zhvillim edhe më të shpejtë”, tha Nikollovski.
Me këto takime, zëvendëskryeministri, shpreson se do të tërhiqen investitorë në Maqedoni, do të hapen vende të reja pune të mirëpaguara dhe vendi do të mund të përparojë.
Nikolloski: Marrëveshje ekonomike dhe linjë ajrore me Emiratet e Bashkuara Arabe appeared first on Telegrafi.