Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, konsideron se vendimi i Qeverisë bullgare për riorintimin e fondeve për rindërtimin e seksionit nga Sofja në Pernik dhe nga Perniku në Radomir për ndërtimin e hekurudhës nga Sofja në Burgas, është një mesazh politik në lidhje me përkushtimin e tyre, respektivisht mospërkushtimin e tyre për ndërtimin e Korridorit 8 të hekurudhës dhe “dështimit” të propagandës kundër qeverisë, kryeministrit Hristijan Mickoski dhe kundër tij.

“Janë dërguar letra tek Delegacioni Evropian, te Komuniteti Evropian i Transportit, por edhe te dy bankat, Banka Evropiane për Investime dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, pasi Qeveria bullgare dje informoi se nuk janë paraparë mjete për linjën hekurudhore, e cila duhet të lidhë Sofjen dhe Shkupin përmes Korridorit hekurudhor 8”, tha Nikolloski.

Duke pasur parasysh se kemi nënshkruar marrëveshje kredie, konkretisht për Korridorin 8, në vlerë prej 350 milionë euro dhe nëse nuk shfrytëzohen duhet të paguajmë rezervime dhe në këtë rast fomdet nuk do të shfrytëzohen jo për fajin tonë, por për fajin e shtetit fqinj, prandaj, siç theksoi Nikolloski duhet të mbrojmë interesat financiare të shtetit.

Vendi ynë, tha ai, mbetet fuqimisht i përkushtuar në ndërtimin e Korridorit 8 hekurudhor. Në këtë moment po punohet në mënyrë aktive në pjesën e dytë, 34 kilometra, e cila shkon nga Beljakovca deri në qytetin e Kriva Pallankës.

“Në janar, më 17 janar, kemi nisur seksionin e parë nga Kumanova në Beljakovcë dhe mbetemi të përkushtuar për dialog me Bullgarinë, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të përbashkët teknikisht të pranueshme, theksoj, për një tunel, i cili duhet të lidhë dy vendet për ndërtimin e seksionit të tretë. Sepse ne besojmë se Korridori 8 është i një rëndësie të jashtëzakonshme jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për të gjithë rajonin dhe për Evropën. Ky është korridori i NATO-s. Një korridor që është i dyti më i rëndësishëm për NATO-n dhe përkushtimi ynë mbetet”, thotë Nikolloski.

Ai shtoi se i vjen keq që ka marrë informacionin që ka mbërritur dje dhe që tashmë është një dokument zyrtar i miratuar nga Qeveria bullgare, me të cilin Bullgaria ka vendosur të tërheqë mjetet që paraprakisht ishin caktuar për rindërtimin e seksionit të hekurudhës nga Sofja deri në Gjueshevë.

“Ka hekurudhë, por hekurudha është në gjendje të dëshpëruar në Bullgari dhe praktikisht nuk mund të përdoret, dhe jo vetëm duhet të ndërtohet tuneli dhe të ndërtohet lidhja me Gjueshevën, por më e rëndësishmja, të bëhet rindërtimi nga Gjuesheva në Sofje, për të lidhur Shkupin dhe Sofjen. Duke pasur parasysh se kanë marrë një vendim që të riorintojnë fondet për rindërtimin e seksionit nga Sofja në Pernik dhe nga Perniku në Radomir për ndërtimin e një hekurudhe nga Sofja në Burgas, mendoj se po dërgojnë qartë një mesazh politik në lidhje me angazhimin e tyre, ose më saktë mungesën e angazhimit, për ndërtimin e Korridorit 8, por edhe kundër propagandës së qeverisë së kaluar dhe kundër meje, se kemi diçka kundër Bullgarisë, që nuk duam ta lidhim, se kemi qenë një lloj boshti mes Athinës-Beogradit dhe marrëzi të ngjashme që kanë qenë pjesë e propagandës”, tha Nikolloski.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Nikollovski thotë se e vërteta ka dalë në shesh, dhe siç tha ai, “ky ishte vetëm një mashtrim dhe arsyetim para opinionit dhe para institucioneve evropiane dhe qëllimet ishin krejtësisht të ndryshme”.

“Shpresojmë që dialogu të vazhdojë, tentativën e fundit e bëmë më 7 mars, kur përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme i dërgova një letër zyrtare Qeverisë Bullgare, Ministrisë së Transportit dhe të gjithë atyre që janë përgjegjës atje, nga ana jonë është formuar një grup pune i nivelit më të lartë, duke më përfshirë edhe mua, ministrin e Punëve të Jashtme, Ministrin e Financave dhe Drejtorin e Hekurudhave dhe Infrastrukturës. Të njëjtin përkushtim presim edhe nga Bullgaria që të mund të ndërtojmë dhe lidhim Sofjen dhe Shkupin, në fund vendimi duhet të jetë nga të dyja palët”, tha Nikolloski.

Ai në deklaratën e sotme për media theksoi se qeveritë ndryshojnë, përkushtimi mbetet dhe shpreson që Korridori 8 të ndërtohet me këtë apo me qeverinë e ardhshme bullgare, sepse është arterie kyçe jo vetëm për Maqedoninë, por për të gjithë rajonin.

“Kemi këmbëngulur për një marrëveshje gjatë gjithë kohës dhe e kemi parë atë që po ndodh tani vitin e kaluar, kur u zgjodhëm në qeveri, dhe kjo është se fatkeqësisht nga ana tjetër nuk ka projekte aktive, nuk ka financim, për të përfunduar një projekt duhet të kesh një seksion të projektuar, duhet të kesh financim të siguruar, të dyja mungojnë dhe prandaj kemi insistuar që të arrijmë marrëveshje me Bullgarinë gjatë gjithë kohës. Në vend që të harxhohet kohë për arritjen e marrëveshjes, është harxhuar për propagandë, por çdo propagandë pa bazë përfundon, siç ka përfunduar edhe kjo propaganda”, tha Nikolloski.

Në pyetjen e gazetarëve nëse do të vazhdojë ndërtimi i hekurudhës, Nikolloski u përgjigj se faza e dytë e hekurudhës nga Beljakovca në Kriva Pallankë do të përfundojë dhe afati i fundit ishte tetori i vitit 2026. Ndërsa faza e tretë do të ketë kuptim vetëm nëse lidhemi me Bullgarinë. Një tunel nuk mund të ndërtohet në gjysmë të rrugës dhe, siç thotë Nikolloski, një gjë të tillë nuk ka askund në botë. Ai është i vendosur se duhet të ketë marrëveshje për fazën e tretë.

Nikolloski: Bullgaria e painteresuar për ndërtimin e hekurudhës së Korridorit 8 appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version