Pas incidentit të armatosur që ndodhi të hënën, Komuna e Haraçinës sot për herë të parë hapi dyert për qytetarët. Për shkaqe sigurie, forcat policore po qëndrojnë në oborrin e kësaj komune që nga fillimi i orarit të punës, njofton Alsat.
Qytetarët prapa kamerave njoftuan se i marrin shërbimet pa ndonjë problem, por u nënshtrohen kontrolleve të shtuara gjatë hyrjes në objekt.
Komuna e Haraçinës nuk punoi dy ditë, ndërsa kjo nuk është hera e parë që mbyll dyert për shkaqe sigurie.
Vitin e kaluar komuna ishte e mbyllur disa ditë, për shkak të kërcënimeve me jetë që kishte marrë kryetari dhe administratorët e komunës.
Nuk ka ndonjë zhvillim të ri lidhur me personin i cili me kallashnikov gjuajti në drejtim të kryetarit Ridvan Ibrahimi, ndërsa plagosi shoferin e tij dhe një nëpunësi komunal.
Nga policia edhe sot na thanë shkurt se po punohet në zbardhjen e rastit, por autori vazhdon të mbetet në liri.
Ministri teknik i punëve të brendshme, gjatë ditës së djeshme tha se një ditë më parë ishin arrestuar dy persona që dyshohej se kanë lidhje me ngjarjet në Haraçinë, por në ndërkohë u konstatua se njëri prej tyre nuk kishte lidhje me rastin, duke mos precizuar nëse personi tjetër ishte ose jo i përfshirë./Alsat/
Ngjarjet në Haraçinë, komuna sot hapi dyert për qytetarët appeared first on Telegrafi.