Krahas epidemisë me kollën e keqe epidemiologët dhe pediatërit janë të shqetësuar se mund të ketë shpërthim edhe të epidemisë së fruthit pasi tashmë kjo sëmundje po qarkullon në disa vende të rajonit dhe Evropës, ndërsa niveli i fëmijëve të vaksinuar me MRP në Maqedoninë e Veriut nuk është në nivelin e dëshiruar. Epidemiologia e ISHP-së, Dr. Kristina Stavridis, thotë që nga fillimi i vitit nuk është regjistruar asnjë rast me fruth, por dërmues është fakti se vaksinimi nuk është i mjaftueshëm për të parandaluar shpërthimin e një epidemie të fruthit. “Kemi një vaksinë efektive dhe të sigurt, e cila mund të përdoret si një masë efektive në parandalimin e kësaj sëmundje të parandalueshme nga vaksina. Vaksina nuk ka kundër-indikacione përveç alergjisë nga përbërësit e vaksinës, kështu që çdo fëmijë i shëndoshë, madje edhe ata fëmijë me ftohje të lehtë dhe diarre mund të vaksinohen”, thotë Stavridis duke shtuar se vaksina ka një efikasitet mbi 99%.
Sipas të dhënave që dha ajo për media, në vitin 2022 mbulimi me dozën e parë të vaksinës MRP në territorin e Shkupit ka qenë 70.4%, me dozën e dytë 92.1%, ndërsa në territorin e Maqedonisë së Veriut, mbulimi me dozën e parë është 70.7% dhe me dozën e dytë 89.2%.
Nga Ministria e Shëndetësisë për media theksuan se gjendja momentale është stabile dhe nuk ka asnjë rast të konfirmuar si dhe apeluan që prindërit t’i përmbahet kalendarit të rregullt të vaksinimit të fëmijëve, pasi sipas tyre kjo është mënyra më e mirë për të qenë gati për ti pritur rastet e reja të fruthit dhe një epidemi të mundshme.
“Vaksinimi paraqet arritjen më të madhe të sistemit shëndetësor, prandaj apelojmë deri tek të gjithë qytetarët, veçanërisht prindërit e fëmijëve që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre sepse prioriteti kryesor është kujdesi i tyre shëndetësor”, thanë nga MSH.
Javën e kaluar edhe KSI shprehi shqetësim në lidhje me shpërthimin e një epidemie të fruthit, pasi siç njoftojnë nga atje, disa vende të rajonit tashmë kanë shpallur epidemi të fruthit ndaj presin që kjo të lëvizë edhe tek ne. “Do të apelojmë deri tek kopshtet që kontrolli i katronit të vaksinimit të jetë më rigoroz, më intenzivisht dhe në kontroll të përfshihet edhe vaksinimi kundër fruthit. Ne kemi një shans për të fikur këtë zjarr para se të fillojë. Ja ku jemi, në prag të ndezjes së një zjarri të ri”, tha kryetari i KSI, Aleksandar Petliçkovski.
Paralajmërim për rrezik nga shpërthimi i epidemisë bëri edhe kryetarja e Komunitetit të Imunizimit, Aleksandra Grozdanova. Sipas saj, prindërit duhet të ndërgjegjësohen dhe duhet të respektojnë pjesën e parandalimit në mënyrë që të kemi breza të shëndetshëm dhe fëmijë të shëndetshëm. “Nuk na duhen fare situata të tilla të krizës shëndetësore, veçanërisht nëse na ndodhin dy epidemi në të njëjtën kohë”, theksoi Grozdanova.
Sipas propozimit për imunizim në Maqedoninë e Veriut, imunizimi kundër fruthit, shytave dhe ruberolës bëhet me dhënien e një doze të vaksinës së kombinuar të gjallë kundër fruthit, shytave dhe ruberolës (MRP), si dhe një dozë të vaksinës MRP me qëllim rivaksinimin. Vaksinimi bëhet për tek fëmijët mbi 12 muaj, maksimumi 15 muaj, ndërsa për të gjithë ata fëmijë që nuk kanë pranuar më parë vaksinën MRP, vaksinimi bëhet pas mbushjes së moshës 15 muaj deri në 14 vjeç. Rivaksinimi bëhet në moshën 6 vjeçare, gjegjësisht në fillim të vitit shkollor e deri në fund të tetorit. Për të pasur imunitet kolektiv, që virusi mos të përhapet, mbulimi me vaksinim duhet të jetë 95%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut deri në vitin 2022 kundër fruthit janë vaksinuar vetëm 70.7% e fëmijëve. Shpërthimi i fundit i epidemisë së fruthit në vend ishte në vitin 2018, më pas ishin 74.8% të vaksinuar. Në Maqedoninë e Veriut, në 50 vjet janë regjistruar 25 vdekje nga fruthi. (koha.mk)
Në Maqedoni rrezikohet të përhapet epidemia e fruthit, shumë fëmijë nuk janë të vaksinuar appeared first on Telegrafi.