Problemi shumëdekadësh në Tetovë me mungesën e vendeve të reja të parkimit akoma nuk gjen zgjidhje. Pavarësisht se pjesa dërmuese e kryetarëve të komunës së Tetovës gjatë fushatave të tyre kanë premtuar parkingje në kate, megjithatë pas ardhjes në krye të komunës nuk kanë gjetur formë për të realizuar këtë premtim, por edhe për të gjetur zgjidhje njëherë e përgjithmonë për këtë problematikë urbane.
Në një kohë kur gjithnjë është në rritje numri i automjeteve që qarkullojnë në rrugët e qytetit e Tetovës, gjetja e një vend parkimi është bërë luks për tetovarët dhe jo vetëm. Nga ana tjetër, kjo krijon kaos edhe në qarkullimin e lirë në komunikacion për automjetet tjera.
Kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami është shprehur se ndërtimi i parkingjet në kate nuk është çështje që varet vetëm nga ana e komunës, por bëhet fjalë për hapësira që komuna duhet t’i ketë në dispozicion, që më pas të bëhet plan për ndërtimin e tyre.
“Sa i përket parkingjeve në kate jemi në procedurë të gjetjes së lokacionit apo lirimit të lokacioneve aktuale të cilët në Plan Detal Urbanistik janë të parapara për parkingje në kate. E di]më se një e tillë është hapësira para Veros, ku kundër ligjit ka kërkesë për privatizim dhe është e bllokuar dhe nuk mund ta vendosim në procedurë për ndërtimin e garazheve në kate. Një vend tjetër është afër sallës së sportit në qendrën sportive, ku ka ende probleme në procesin e legalizimit. Ende nuk mund të gjejmë zgjidhje ligjore të cilët varen nga komuna e Tetovës”, tha kohë më parë kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Në ndërkohë, në orët e pasdites pothuajse problem në vete është parkimi paralel. Ky lloj parkimi jo rrallë herë ka vënë në sprovë edhe autoritetet policore në Tetovë. Kjo, pasi që vozitësit të cilët paguajnë për parkim zonal, pamundësohen të dalin nga vendparkimi si pasojë e parkimit paralel të paligjshëm nga vozitës të pandërgjegjshëm. Nga policia e Tetovës thonë se pikërisht për këtë problem shqiptohen edhe më shumë dënime.
”Pjesa më e madhe e masave kanë të bëjnë me parkimin në vend të gabuar dhe në të ashtuquajtura reshta të dyfishtë. Me këtë rast janë përgatitur edhe padi adekuate dhe vozitësit do të ballafaqohen me dënime të cilët fillojnë nga 25 deri në 180 euro. Këto aksione do të vazhdojnë edhe më tej me një rritëm më të përshpejtuar ndaj vozitësve të pandërgjegjshëm. Me këtë rast në fokus do të jetë veturat të cilët parkohen në udhëkryqe, në vijat e bardha për këmbësorë, në zona të gjelbra dhe në reshta të dyfishtë, e cila kohëve të fundit është shumë e përhapur në zonën qendrore në Tetovë”, thonë nga policia e Tetovës.
Derisa nuk ndërtohen parkingje në kate dhe nuk hapen vende të reja parkimi, vozitësit në Tetovë do të vazhdojnë të përballen me mungesën e gjetjes së një vendi për parkim. Kaosi më shumë haset në rrugët kryesore, afër tregut të gjelbër por edhe në pjesë tjera, sidomos afër institucioneve në pjesën qendrore, ku në mungesë të vendeve të mjaftueshme të parkimit./Koha.mk/
Mungesa e parkingjeve, Tetova në kaos appeared first on Telegrafi.