“Vizita e delegacionit qeveritar të kryesuar nga kryeministri Hristijan Mickoski në SHBA, përveç pjesëmarrjes në Samitin e NATO-s, ka edhe karakter bilateral”, thotë ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, kumtoi MPJ.
Mucunski thekson se marrëdhëniet bilaterale me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik ishin në fokus të ditëve të para të vizitës në SHBA.
“Kryeministri Mickoski paralajmëroi një investim të ri, i cili paraqet një nga sukseset e para të mëdha ekonomike të qeverisë së re. “Vaptek” do të investojë edhe 35 milionë euro shtesë dhe do të hapen 100 vende të reja pune në vend”, tha Mucunski, duke theksuar se vendimi është marrë gjatë vizitës së tyre në Washington.
Ai informon edhe për takime të shumta me kongresmenë me ndikim në të cilat është folur për forcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në, si dhe për rolin e vendit në skenën ndërkombëtare.
“Në takime u konfirmua roli i vendit si anëtar i afirmuar i Aleancës së NATO-s, i cili në vazhdimësi kontribuon në forcimin e sigurisë së përgjithshme transatlantike. Gjithashtu u theksua se Qeveria e re e Maqedonisë është mbështetëse dhe do të vazhdojë me politikën e respektimit 100% me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, e cila është e rëndësishme për stabilitetin e vendit dhe rajonit”, thekson Mucunski.
Mucunski: Qeveria do të vazhdojë me harmonizimin e politikës së jashtme me atë të BE-së appeared first on Telegrafi.