Ministria e Punëve të Jashtme u bën thirrje të gjithë qytetarëve tanë që ndodhen në Liban të largohen nga ky vend për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë. MPJ apelon gjithashtu që të shtyhen të gjitha udhëtimet jo thelbësore në Liban.
“Ekziston mundësia e përkeqësimit të mëtejshëm të situatës dhe zvogëlimit të mundësive për largim me kohë nga Libani. Si gjithmonë, ne jemi duke vënë të gjitha kapacitetet tona për të ndihmuar qytetarët tanë”, thonë nga MPJ.
Ministria e Jashtme kumtoi edhe numrin e telefonit si dhe adresën elektronike ku qytetarët e Maqedonisë mund të marrin më shumë informacione.
Numri telefonik SOS
+389 75 268 736,
E-MAIL
[email protected]
Situata në kufirin izraelito-libanez është e tensionuar. Izraelitët sulmuan një fshat kufitar me dronë, me arsyetimin se po sulmonin Hezbollahun, i cili vepron nga territori libanez.
“Kjo nuk është e re për armikun sionist, dërgimi i një droni dhe bombardimi i procesioneve funerale në Aitarun, Marun dhe Jarun. Sigurisht që do të qëndrojmë këtu dhe kjo nuk do të na trembë. Edhe nëse e bëjnë këtë një milion herë, ne jemi këtu dhe do të qëndrojmë deri në frymën tonë të fundit. Zoti i ruajt këta të rinj dhe këtë vend dhe Zoti dhëntë që të kthehemi me fitore në duart tona”, tha Hatem Hamud, banor lokal.
Ministri izraelit i Mbrojtjes Joav Galant u nis për në Shtetet e Bashkuara të dielën herët për t’u takuar me zyrtarë amerikanë. Para largimit të tij, ai tha se Izraeli ishte “gati për çdo veprim që mund të nevojitet në Gaza, gjithashtu në Liban, por edhe në vende të tjera.
“Në ato takime (me zyrtarë amerikanë) do të bisedoj për ndodhitë në frontin e Gazës, frontin e Libanit dhe ata janë shumë të rëndësishëm tani, po ashtu edhe për vende të tjera”, tha Jaov Galant, ministër i Mbrojtjes Izrael.
Rreth 150,000 njerëz janë larguar nga rajoni kufitar libanez-izraelit për shkak të frikës nga lufta. Javën e kaluar, Hezbollahu lëshoi më shumë se 160 raketa kundër Izraelit si hakmarrje për vrasjen e dy prej komandantëve të tij. Konflikti i fundit midis Izraelit dhe Hezbollahut filloi tetorin e kaluar, kur Hamasi filloi një sulm në territorin izraelit që vrau mbi 1000 njerëz dhe mori rreth 250 pengje. Autoritetet libaneze thonë se sulmet izraelite që nga tetori kanë vrarë më shumë se 375 njerëz në Liban, duke përfshirë 88 civilë. Ushtria izraelite raporton se 18 ushtarë dhe 10 civilë u vranë në sulmet e Hezbollahut.
MPJ thërret qytetarët e Maqedonisë që të largohen nga ky vend appeared first on Telegrafi.