Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se është ngritur kallëzim penal ndaj disa zyrtarëve dhe përfaqësuesve të subjektit juridik, nën dyshimet për përfitime të kundërligjshme gjatë shfrytëzimit të koncesionit në Zajaz. Siç mësohet, mes të akuzuarve është edhe Drin Ahmeti.
“Kallëzim penal ndaj 26 vjeçarit D.A. dhe 34 vjeçarit B.A. nga Kërçova, për shkak ekzistimit të dyshimeve për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës dhe autoritet zyrtar”, e dënueshme në bazë të nenit 353 nga Kodi Penal”, sqaroi Policia.
Policia ka ngritur padi edhe ndaj 54 vjeçarit F.Ç. nga Dibra, 61 vjeçarit E.L. nga Tearca e Tetovës, 47 vjeçarit J.K. nga Tetova, 42 vjeçarit A.M. nga Shkupi, sikurse edhe ndaj 51 vjeçarit K.Sh. nga Shkupi, 47 vjeçarit F.A. nga Kumanova dhe 64 vjeçarit F.R. nga Shkupi për punë të pakujdesshme, vepër e dënueshme në bazë të nenit 353-v nga Kodi Penal.
Ata dyshohen se nga viti 2016 kanë përfituar materialisht në kundërshtim me Ligjin për burime minerale dhe Marrëveshjen për koncesion për shfrytëzimin e një lokaliteti në Zajaz. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar ndërmjet subjektit juridik nga Kërçova dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht Ministrisë së Ekonomisë e udhëhequr nga Kreshnik Bekteshi.
Ata nuk kanë shlyer tarifat e detyrueshme ligjore, duke e dëmtuar Buxhetin e Maqedonisë së Veriut në vlerë prej 1 671 894 denarë.
Ndryshe, Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion në muajin mars kishte sqaruar që Drin Ahmeti do të hetohet, edhe pse ai kishte paralajmëruar tërheqjen nga kompania “Top”, e cila e bleu “Soravinë” në Shkup.
MPB dorëzon kallëzim penal ndaj Drin Ahmetit dhe disa personave tjerë appeared first on Telegrafi.