Viruset sezonale po qarkullojnë me intensitet të shtuar në vend. Përveç gripit dhe fruthit, mjekët po raportojnë rritje të rasteve me enterokolit, një virus që prek sistemin tretës dhe po shfaqet veçanërisht tek fëmijët dhe të moshuarit.

“Ka frekuencë më të madhe të viruseve, enterokolitet janë viruset e stomakut që janë më të shpeshta kohët e fundit. Simptomat janë të vjellura, plogështi, disa edhe me temperatura të larta. Trajtimi është me elektrolit – vendosja e balansit të lëngjeve – pasi problemi më i madh është humbja e lëngjeve dhe disbalanca që ajo shkakton, sidomos tek të moshuarit dhe bebet.” – tha mjeku, Abdylhamit Kasami.

Por përveç viruseve të stomakut, në qarkullim janë ende edhe viruset e gripit, ndërsa në disa raste është rikthyer edhe fruthi, që po prek kryesisht fëmijët në moshat parashkollore dhe fillore.

“Ka raste të fruthit tek fëmijët e vegjël. Ajo që mund të rekomandojmë është kujdesi ndaj produkteve të qumështit – është herët për akullore, sidomos për fëmijët. Po ashtu, kujdes maksimal ndaj higjienës: larja e duarve, pastrimi i ushqimit dhe zierja e mirë e produkteve, sidomos ato të konservuara.” – u shpreh mjeku, Abdylhamit Kasami.

Sipas të dhënave zyrtare, javën e fundit janë raportuar 319 raste të reja me grip ose sëmundje të ngjashme me gripin, një rënie prej gati 38 për qind krahasuar me javën e kaluar, por një rritje me mbi 2 herë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Krahasuar me javën e katërmbëdhjetë të vitit të kaluar (153 raste), këtë vit janë regjistruar 2,1 herë më shumë. Ndërsa në krahasim me modelin për 14 sezonet e fundit (202 raste), rritja është 58,2 për qind.”

Ekspertët e shëndetit publik apelojnë për kujdes të shtuar në ruajtjen e higjienës dhe mbrojtjen e grupeve më të ndjeshme, fëmijëve dhe të moshuarve për të shmangur komplikacione të mundshme nga viruset sezonale. /RTVM2

Mjekët apelojnë për kujdes të shtuar, rastet me grip ende në rritje appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version