
Shumica parlamentare hodhi poshtë propozimet e LSDM-së për uljen e TVSH-së për rrymën elektrike si dhe heqjen e TVSH-së për produkte ushqimore. Nga ana tjetër, shumica miratoi propozim ndryshimet e ligjit për mbrojtje të konsumatorëve, me çka, marketet qofshin të vogla apo të mëdha, do të duhet që çdo produkt ta publikojnë në ueb faqen e tyre zyrtare, duke ua vendosur edhe çmimet, të azhurnuara çdo ditë.
Ministria e Ekonomisë, me një akt nënligjor do të duhet ta përshkruajë mënyrën e publikimit të çmimeve në produkteve. Qëllimi sipas shumicës parlamentare është transparenca, konkurrenca e drejtë dhe mbrojtja e konsumatorëve. Megjithatë, sipas LSDM-së, këto ndryshime ligjore nuk do të sjellin asnjë dobi për qytetarët.
“Mendoj se propozimi i tyre në fakt nuk do të sjellë asnjë të mirë për qytetarin në fund të ditës. Është një tendencë ku nuk dini se çfarë të bëni, i bëni makijazh të mirë produktit dhe thoni se kjo është ajo që do të sjellë të mirë”, tha Fatmir Bytyqi – LSDM.
Duke kritikuar masën qeveritare, oda e tregtarëve kërkon përsëri takim me kryeministrin. Mickoski nuk refuzon t’i takojë, por kërkon që të vijnë me një propozim konkret dhe të pranueshëm.
“Ta shohim cili është propozimi por do të doja ai propozim të jetë i koncentruar sepse takimin e fundit, më falni por më duhet të them se ishte disi konfuze. Nga përfaqësues të ndryshëm të personave juridik pamë propozime të ndryshme. Le të mblidhet ajo odë, le të sjellin një propozim dhe le ta shohim atë propozim. Ta dimë se në çfarë platforme do të mundemi më tej të bisedojmë. Nëse është më e mirë dhe në drejtim të përmirësimit të standardit të qytetarëve, absolutisht se do të mbajmë dhe seancë qeveritare dhe do ta pranojmë”, theksoi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Pasi Qeveria vendosi marzhë mbi produktet ushqimore dhe jo ushqimore nga 5 deri në 15%, nga oda e tregtarëve u ankuan se me këto masa rrezikohet mbijetesa dhe ekzistenca e tyre. Sipas vendimit qeveritar, për 8 grupe të produkteve u vendos marzhë prej 5%, për 55 grupe të produkteve marzhë prej 10% ndërsa për 39 grupe të produkteve marzhë prej 15%. Kjo marzhë do të jetë në fuqi deri më 30 prill.
Miratohen ndryshimet e Ligjit për mbrojtje të konsumatorëve, çmimet e produkteve edhe “online” appeared first on Telegrafi.