E ardhmja jonë duhet të bazohet në ndërtimin e një gjyqësori të fortë, të pavarur dhe modern që do të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve tanë dhe do të jetë në hap me vlerat evropiane, thonë nga Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut me rastin e 25 Tetorit – Ditës Evropiane të Drejtësisë.
Sipas departamentit të kryesuar nga ministri Igor Filkov, sundimi i ligjit është shtylla bazë mbi të cilën mbështetet çdo shoqëri moderne dhe reformat janë parakusht për ndërtimin e besimit midis qytetarëve dhe institucioneve.
“Në periudhën e kaluar kemi qenë dëshmitarë të nevojës për ndryshime serioze në sistemin e drejtësisë, të cilat janë një nga parakushtet kryesore për progres në proceset evropiane. Bashkimi Evropian është i qartë – nuk ka kompromis kur bëhet fjalë për drejtësinë.
Nuk mund të presim prosperitet ekonomik, kohezion social dhe stabilitet pa një sistem gjyqësor të drejtë dhe të pavarur. Sigurisht, reforma në drejtësi nuk nënkupton vetëm ndryshimin e ligjeve. Ato përfshijnë edhe ndryshimin e kulturës së funksionimit të institucioneve gjyqësore. Është i nevojshëm edukimi i vazhdueshëm i gjyqtarëve dhe prokurorëve, futja e teknologjive të reja për efikasitet më të mirë, por edhe forcimi i mekanizmave të kontrollit dhe llogaridhënies”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.
Këto reforma, shtojnë nga atje, nuk janë vetëm prioritet kombëtar, por janë edhe pjesë e integrimit tonë evropian./Telegrafi/
Ministria e Drejtësisë në RMV: Reforma në drejtësi nuk do të thotë vetëm ndryshim i ligjeve appeared first on Telegrafi.