Ministria e Arsimit ka sqaruar se Ligji i ri për Arsimin e mesëm tashmë i miratuar në Qeveri do të ndikojë drejtpërdrejt në cilësinë e përgjithshme të sistemit arsimor në vend.

Risi e veçantë në këtë Ligj është kapitulli “Provimet në përfundim të arsimit të mesëm”, përkatësisht matura profesionale dhe provimi akademik pranues. Sipas dikasterit të Arsimit, pas përfundimit të vitit të fundit të gjimnazit, sipas planit, nxënësit zgjedhin maturën shtetërore, ose atë shkollore. Pas përfundimit të vitit të fundit në Programin Ndërkombëtar për Arsimin e Mesëm (programi IB), nxënësit marrin maturën ndërkombëtare ose maturën shtetërore.

Pas përfundimit të vitit të fundit të arsimit profesional katërvjeçar, nxënësit i nënshtrohen provimit të maturës profesionale. Pas përfundimit të vitit të fundit të arsimit profesional me kohëzgjatje dy ose trevjeçare, nxënësit i nënshtrohen provimit përfundimtar. Pas përfundimit të vitit të fundit të arsimit të mesëm artistik, nxënësit i nënshtrohen provimit të maturës së artit. Koncepti për provimet në përfundim të arsimit të mesëm hartohet nga Qendra Shtetërore e Provimeve dhe me propozim të Këshillit Shtetëror të maturës-akademik, përcaktohet nga ministri.

Studentët që dëshirojnë të vazhdojnë shkollimin në institucionet e arsimit të lartë dhe që plotësojnë të paktën një nga kushtet: të regjistrohen në vitin e katërt të arsimit të mesëm profesional ose të mesëm artistik, i nënshtrohen provimit akademik pranues për t’u regjistruar në arsimin e lartë; të kenë përfunduar arsimin e mesëm profesional katërvjeçar dhe të kenë dhënë provimin e maturës profesionale; të kenë përfunduar arsimin e mesëm artistik dhe të kenë dhënë provimin e maturës së artit ose të kenë vendim për njohjen e një diplome për arsimin e mesëm të kryer jashtë vendit e cila është e barabartë me arsimin e mesëm profesional katërvjeçar ose arsimin e mesëm artistik në vend.

Nga Ministria e Arsimit gjithashtu thanë se është përcaktuar teksti i Ligjit të ri për arsimin dhe aftësimin profesional. Ky Ligj i cili aktualisht është në zbatim, është miratuar në vitin 2006 dhe reforma në arsimin dhe aftësimin profesional, sipas propozuesit, Ministrisë së Arsimit, është e lidhur ngushtë me ndryshimet në tregun e punës dhe nevoja për një model të arsimit dhe formimit profesional që synon krijimin e burimeve njerëzore për nevojat e tregut të punës, përmes punësimit apo vetëpunësimit./Alsat/

Ministria e Arsimit: Ligji i ri për arsimin e mesëm do të ndikojë drejtpërdrejtë në cilësinë e sistemit arsimor appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version