Përderisa të tjerët ditën e lirë e shfrytëzojnë për piknik, më 1 maj punëtorët protestojnë.
Në Shkup mijëra punonjës të sektorit publik dhe privat shprehën revoltën e tyre për të drejtat që ju takojnë por siç thonë ata, ju mohohen nga punëdhënësit, shkruan Alsat.
Me parulla të ndryshme dhe brohoritje të zëshme, protesta filloi nga godina e LSM-së drejt Kuvendit.
“Sot jemi këtu tu themi atyre që do të ulen në përbërjen e re pas nesh se nuk mund të vendosin për ne, pa neve. Ne punëtorët zgjedhim dhe prej tyre presim nga ata ti përmbushin kërkesat tona dhe mos të bëjnë vetëm për vete, mos ta keqpërdorin flamurin Evropian kur është në dëm të qytetarëve, kurse për 24 orë të votojnë 78% rritje të pagave të tyre, kurse ne të vuajmë!”, tha Sllobodan Trendafilov, kryetar i LSM-së
“Maqedonia ka shpëtim, por të rinjtë patjetër ti kthejmë nga gjitha shtetet e botës sepse vendi i vetëm për jetë dhe prosperitet është kthimi i rinisë në vendlindje nga e gjithë bota. Të jetoj Maqedonia”, tha Goce Dellçev Todev, Sindikata e pavarur e policisë.
Marshi vazhdoi drejt objektit të Odës ekonomike, të përfaqësuesve të bizneseve private.
“Tu kthejmë shpinën të bosëve që janë pas nesh, të cilët tani janë në Greqi apo Turqi me pushime. Ta dinë që pa neve nuk munden, ta dinë se ky shtet dhe kompanitë janë ndërtuar nga gjaku dhe djersa e punëtorëve”, u shpreh Ivan Peshevski, nënkryetar i LSM-së.
Marshi vazhdoi drejt Qeverisë. Rrugët ishin të bllokuara dhe turma monitorohej në forca të shumta policore.
“Ky shtet ka resurse, ka njerëz të ditur, ka pasuri, por vetëm duhet të vendosen njerëzit e duhur në vende të duhura, njerëz të pastër që e duan shtetin. Nuk munden të udhëheqin njerëz që nuk janë profesionistë. E pastaj duam që dikush të jetë i kënaqur në Maqedoni”, tha Marjan Ristovski, sindikata KSOM.
Por, jo të gjitha sindikatat protestuan sot. Nga Konfederata e Sindikatave të Lira thonë se nuk kanë se ku të protestojnë, kur ka një qeveri teknike dhe janë mes të dy proceseve zgjedhore./Alsat/
Mijëra punëtorë protestuan sot në Shkup appeared first on Telegrafi.