Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut sot është mbajtur seanca për pyetje të deputeteve, në të cilën vazhdimisht ka pasur përplasje mes zyrtarëve të qeverisë me ata të opozitës.
Deputeti i BDI-së Blerim Bexheti parashtroi pyetje për kryeministrin për afatin e miratimit të ndryshimeve kushtetuese, orientimin e shtetit me BE-në apo Rusinë, e deri te ndikimi i kryeministrit në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski, iu përgjigj duke i thënë se zyrtarë të BDI-së i dërgojnë SMS porosi me të cilat pranojnë të jenë në Qeveri me gjysmën e asaj që ka VLEN-i për momentin.
“Zotëri Blerim Bexheti unë mund t’iu tregoj SMS porosi nga anëtarë të lartë të partisë suaj, të cilët më thonë se aq sa ka partneri ynë në Qeveri VLEN, gjysma është e mjaftueshme për BDI për t’u bërë pjesë e Qeverisë. Kjo Qeveri duhet ta kthejë dinjitetin dhe legjitimitetin e shtetit. Dhe kjo qeveri është e të gjithë qytetarëve që jetojnë në Maqedoni”, tha mes tjerash Mickoski.
Ndaj kësaj deklarata të kryeministrit, reaguan nga BDI duke thënë se janë shpifje dhe i kërkuan Mickoskit që t’i publikojë SMS-porositë.
“Në fillim ishte banesa në Butel me njerëz të armatosur, mandej ishte betimi i tij që asnjëherë nuk do ta njoh emrin kushtetues dhe marrëveshjen e Prespës, pastaj fliste që shteti do të destabilizohet në shtator, gjithashtu projektin e Korridorit 8 e quante krim epik korruptiv e në fund tha që është arritje historike, thoshte edhe që do ta anulojë rritjen e rrogave prej 78% për funksionerët dhe shumë gjëra të tjera që u dëshmuan se ishin gënjeshtra.
“Njëjtë edhe “sms” porositë nga BDI janë gënjeshtra. Kërkojmë nga Mickovski që t’i publikojë menjëherë, që sonte, ndryshe, do të jetë një gënjeshtar dhe shpifës ordiner nga foltorja e parlamentit”, thuhet në reagimin e BDI-së./Telegrafi/
Mickoski: Zyrtarë të BDI-së më dërgojnë SMS porosi për t’u bërë pjesë e Qeverisë appeared first on Telegrafi.