Kryeministri i RMV-së Hristijan Mickoski, ka reaguar në Facebook pas zjarrit tragjik në Koçan. Ai thotë se Qeveria është mobilizuar dhe do ta bëjë të pamundurën për t’ua lehtësuar dhimbjen familjarëve të të vdekurve.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për tragjedinë e tmerrshme në Koçan. Kjo është një ditë e vështirë dhe shumë e trishtueshme për Maqedoninë! Humbja e kaq shumë jetëve të të rinjve është e pariparueshme, ndërsa dhimbja e familjeve, njerëzve të dashur dhe miqve është e pamatshme. Në këto momente trishtimi të thellë, mendimet tona janë me ata që kanë humbur të dashurit e tyre. Të lënduarve u uroj shërim sa më të shpejtë, ndërsa familjeve të të ndjerëve forcë për të përballuar këtë humbje të paimagjinueshme. Populli dhe qeveria do të bëjnë të pamundurën që sadopak t’ua lehtësojë dhimbjen dhe t’i ndihmojë në këto momente më të vështira”.
“U bëj thirrje të gjitha institucioneve kompetente – shërbimeve shëndetësore, policisë, autoriteteve lokale – që të marrin masa urgjente për të ndihmuar të lënduarit dhe për të mbështetur familjet e prekura. Qeveria është plotësisht e mobilizuar dhe do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të përballuar pasojat dhe për të përcaktuar shkaqet e kësaj tragjedie”.
“Gjatë ditës, pas shqyrtimit të rrethanave pranë institucioneve kompetente, do t’i drejtohem publikut me më shumë informacion për hapat e ndërmarrë. Në këto kohë pikëllimi të thellë, kur zemrat tona janë thyer nga dhimbja për shkak të kësaj tragjedie të tmerrshme, bëj thirrje për bashkim, solidaritet, humanizëm dhe përgjegjësi. Zoti qoftë me familjet e viktimave dhe të lënduarve dhe me popullin e Maqedonisë!”, ka shkruar Mickoski./Telegrafi/
Mickoski: Qeveria është mobilizuar, institucionet të marrin masa për të ndihmuar të lënduarit nga zjarri appeared first on Telegrafi.