
Kryeministri Hristijan Mickoski, sot duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me sigurinë dhe licencat për lokalet e natës dhe kabaretë, për të cilat dje mësuam se vetëm 12 klube në të gjithë shtetin kanë licencë, dhe punën e deritanishme e inspektorateve, tha se aktualisht vazhdon operacioni i Inspektoratit Shtetëror të Tregut në të gjithë territorin e shtetit.
“Aktualisht vazhdon operacioni i Inspektoratit Shtetëror të Tregut në të gjithë territorin e shtetit. Ndryshe, në përputhje me Ligjin për veprimtari hoteliere licencohen kabaretë, licencohen dhe diskotekat e hapura dhe të mbyllura. Unë do të thoja që numri nuk është aq i lartë në të gjithë territorin, por është shumë më i lartë se ata që kanë siguruar dokument ligjor.
Ligji u ndryshua në vitin 2007. Në ato ndryshime të Ligjit, dokumentet e paraqitura nga personi juridik që kërkon licencë, pretendon me përgjegjësi morale, materiale dhe penale se i plotëson kushtet. Problemi është se ato dokumente nuk janë kontrolluar sipas detyrës zyrtare. Pra, ky objekt pesëqind e ca metër katror që i ka nuk mund të jetë kabare në asnjë bazë. Nuk ka bazë për të qenë kabare dhe të kërkojë licencë për kabare. Këtu problemi shtohet më tej sepse për diskotekat, shuma që duhet paguar si kompensim është më e lartë, krahasuar me ato që janë të licencuara si kabare.
Hetohet dhe të jeni të sigurt, të jeni të sigurt se asnjë objekt që nuk i plotëson, siç thuhet në Ligj, kushtet minimale teknike, nuk do të lihet të funksionojë me gjithë rrezikun dhe kritikën që do të pësojë Qeveria.
Fatkeqësisht që deri më tani e gjithë kjo është toleruar. Fatkeqësisht që njerëzit në Ministrinë e Ekonomisë edhe kur i morën dokumentet nën përgjegjësinë e plotë materiale, morale dhe penale, siç thotë ligji, nuk i kontrolluan sipas detyrës zyrtare. Fatkeqësisht që këto licenca u lëshuan në 15 minuta për një kompensim të caktuar. Por kjo është ajo që mund të themi për të sot. Nëse do të isha i gjithëfuqishëm dhe do të mund ta ktheja kohën disa vite pas, gjithçka do të ishte ndryshe, por fatkeqësisht nuk jam”, tha Mickoski.
Kryeministri paralajmëroi kontrolle të fuqishme dhe të gjithë ata që nuk i plotësojnë kushtet sipas ligjit do të burgosen dhe sanksionohen.”/Telegrafi/
Mickoski: Do të ketë kontroll të fortë dhe të gjithë ata që nuk i plotësojnë kushtet sipas ligjit do të burgosen dhe sanksionohen appeared first on Telegrafi.