Zv. kryeministri i Parë dhe Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, mori pjesë në konferencën vjetore të organizatave të shoqërisë civile me temë “Bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë dhe shoqërisë civile”, organizuar nga forumi nacional i Civica Mobilitas.

Në diskutimin tematik me ministrat, përfituesit e granteve të programit ‘Civica Mobilitas’ parashtruan pyetje sipas prioriteteve tematike dhe përgjegjësive sipas departamenteve.

I pyetur për politikat e Qeverisë për avancimin e marrëdhënieve ndëretnike në shtet, Mexhiti theksoi se në muajt e parë pas ndërrimit të qeverisë, kur procesi i tranzicionit ishte ende në vijim, u krijua përshtypja se marrëdhëniet ndëretnike janë të tensionuara.

“Dua të jem i qartë multietniciteti është realitet i vendit tonë, ne jetojmë, krijojmë dhe veprojmë me të. Edhe në demokracitë shumë më të vjetra dhe më të zhvilluara se e jona, ka ende sfida për postulatet bazë mbi të cilat mbështetet shteti dhe sfida të tilla do të vazhdojnë të ekzistojnë. Kjo sepse bëhet fjalë për demokracinë, për ekzistencën e një mendimi tjetër, për mundësinë e shprehjes së të njëjtit”, tha Mexhiti njoftojnë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Ai tha se e rëndësishme është ruajtja e modestisë në mazhorancë, sepse ekstremistët që janë në margjina kanë ekzistuar gjithmonë dhe do të ketë të tillë gjithmonë.

Në aspektin e politikave sektoriale në mjedis, organizatat joqeveritare e vënë theksin në gjendjen me liqenet natyrore, Ohër dhe Prespë, për të cilat Mexhiti informoi se Projektligji për shpalljen e Liqenit të Ohrit monument i natyrës janë rikthyer në fazën fillestare nga komisioni parlamentar përgjegjës për mbrojtjen e mjedisit, me qëllim të përsosjes shtesë.

Lidhur me përmbushjen e rekomandimeve të UNESCO-s për zonën e mbrojtur të Ohrit, Mexhiti theksoi se duke vepruar sipas vendimit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore nga Riadi, institucionet kompetente, përfshirë Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, janë duke i zbatuar rekomandimet e Komitetit të Trashëgimisë Botërore për të reduktuar dhe eliminuar faktorët që ndikojnë negativisht në cilësinë e jetës së qytetarëve tanë.

Mexhiti: Organizatat joqeveritare, partnerë të rëndësishëm në mbrojtjen e mjedisit appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version