Numri më i madh i parashtresave të dorëzuara te Avokati i Popullit vitin e kaluar (408 ose 15,08 për qind) ka qenë në sferën e gjendjes civile, ku janë konstatuar edhe numri më i madh i shkeljeve, veçanërisht me dhënien e pasaportave, që ka qenë problem për qytetarët në gjysmën e parë të vitit 2024.

“Ky problem ka prekur mijëra qytetarë të cilët masivisht kanë parashtruar ankesa për arsye të ndryshme – pamundësi për të caktuar termin për fotografim, ngadalësim të prodhimit dhe miratimit të dokumenteve të udhëtimit, dorëzimit të zgjatur të dokumenteve tashmë të përgatitura, e të ngjashme. Pamundësia për të marrë dokument udhëtimi ka qenë shkak i shkeljes së një sërë të drejtave – liria e lëvizjes, zhvillimi profesional, kujdesi shëndetësor jashtë vendit, pjesëmarrja në sporte dhe ngjarje të tjera ndërkombëtare”, tha Avokati i Popullit Naser Ziberi sot në një konferencë për media ku prezantoi Raportin Vjetor për Nivelin e Sigurimit të Respektimit, Promovimit dhe Mbrojtjes së Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në vitin 2024.

Në vitin 2024, qytetarët kanë bërë ankesa edhe për shkelje të të drejtave në marrëdhëniet e punës, si dhe në fushën e urbanistikës dhe ndërtimtarisë, dhe ndër të drejtat e konsumatorëve, problemi më i theksuar ishin faturat e larta të energjisë elektrike të konsumuar.

Ziberi theksoi se në fushën e mjedisit “është shënuar një hap i rëndësishëm përpara” – si për nga numri i ankesave të parashtruara ashtu edhe për nga shumëllojshmëria e nënfushave për veprimin e Avokatit të Popullit.

“Qytetarët kanë nisur të bëjnë ankesa për të gjitha fushat e mjedisit, jo vetëm zhurmat, një praktikë e njohur ndër vite. Pra, ne morëm ankesa për ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës. Avokati i Popullit hap një rast me iniciativën e tij, para së gjithash për ndotjen e ajrit në 15 komuna, qytetet e të cilave janë në krye të listës së qyteteve më të ndotura në Evropë dhe në botë. Nga përgjigjet e marra rezultoi se të gjitha komunat po marrin masa për t’u përballur me ndotjen e ajrit, por realiteti nuk e konfirmon këtë. Prandaj, këtë 2025, në bashkëpunim me organizatat joqeveritare, me të cilat kemi nënshkruar memorandum, do të punojmë sërish në këtë temë”, theksoi Ziberi.

Avokati i Popullit vitin e kaluar ka pranuar një numër të madh parashtresash nga qytetarët të cilët, siç tha ai, u bënë “viktima të labirinteve juridike dhe paqartësive juridike” pasi Kuvendi miratoi ndryshimet në ligjet për detyrimet dhe përmbarimin dhe gjykatat dhe përmbaruesit refuzuan t’i zbatojnë në praktikë.

Më së shumti ankesa te Avokati i Popullit vitin e kaluar ishin për problemin me pasaportat appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version