Marrëveshje të re për bashkëpunim nënshkruan guvernatorja e Bankës Popullore (BP), Anita Angellovska-Bezhoska dhe u.d. drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Dejan Stankov. Mw marrëveshjen, siç informoi BP, zgjerohet hapësira e të dhënave që shkëmbehen, lehtësohet dhe modernizohet metoda e atij shkëmbimi dhe në të njëjtën kohë shkurtohen edhe afatet për dorëzimin e të dhënave.
“E gjithë kjo do të kontribuojë në përmbushjen e kërkesave statistikore të institucioneve evropiane dhe ndërkombëtare dhe përgatitjen e të dhënave statistikore cilësore, të besueshme dhe në kohë. Statistikat cilësore janë vendimtare për procesin e marrjes së vendimeve të mira dhe për zhvillimin e politikave solide ekonomike. Prandaj, një sistem funksional statistikor dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të atij sistemi janë thelbësore për hartimin e politikave publike, por edhe për marrjen e vendimeve të biznesit nga sektori privat. Nënshkrimi i Marrëveshjes së re për bashkëpunim të ndërsjellë dhe shkëmbim të të dhënave dhe materialeve publikuese ndërmjet Bankës Popullore dhe Entit Shtetëror të Statistikave, e cila përmirëson edhe më tej bashkëpunimin e këtyre dy institucioneve, është veçanërisht e rëndësishme për funksionalitetin dhe efikasitetin e sistemit statistikor vendor, i cili përmbush standardin më të lartë statistikor për shpërndarjen e të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar – SDDS plus”, thekson Banka.
Në takim është theksuar se në periudhën e kaluar, duke ndjekur trendet statistikore globale dhe nismat ndërkombëtare, statistika kombëtare është përditësuar me të dhëna të reja, si dhe se përgatitja dhe shpërndarja e të dhënave statistikore është në përputhje me standardet më të fundit evropiane dhe ndërkombëtare. Gjithashtu u theksua se secili pjesëmarrës ka rolin dhe përgjegjësinë e tij në prodhimin e statistikave nga fusha e tij e punës, prandaj koordinimi dhe pajtueshmëria e të gjithë aktorëve në sistemin statistikor është parakusht për përmbushjen e qëllimeve dhe detyrimeve të këtyre institucioneve.
Maqedoni, nënshkruhet marrëveshje e re për bashkëpunim ndërmjet Bankës Popullore dhe ESHS-së appeared first on Telegrafi.