Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) e udhëhequr nga kryetari dhe ish-kryeministri, Dimitar Kovaçevski mbrëmë ka publikuar listat e deputetëve për zgjedhjet kuvendare më 8 maj, të këtij viti, përcjell Telegrafi Maqedoni.
LSDM në listën e zonës zgjedhore 1 do të ketë bartës kryetarin Kovaçevski dhe e dyta do të jetë Monika Zajkova nga Partia Liberal Demokrate (PLD).
Në listën e zonës zgjedhore 2 LSDM do të garojë me Oliver Spasovskin, ish ministër i MPB-së dhe i dyti do të jetë Fatmir Bytyqi, zv.kryeministër aktual dhe nënkryetar i partisë.
Në listën e zonës zgjedhore 3 partia e Kovaçevskit do të del në zgjedhje me Sanja Lukarevska, drejtoreshë e Drejtorisë e të Ardhurave Publike (DAP) e pasur nga Lupço Nikollovski, ministër i Bujqësisë.
Në listën e zonës zgjedhore 4 LSDM do të garojë me ish-ministrin e shëndetësisë Venko Filipçe i cili do të pasohet nga Jovana Trençevska, ministrja aktuale e Punës dhe politikave sociale.
Në zonën zgjedhore 5 LSDM do të jetë në garë me Jovan Mitrevski, kryetari aktual i Kuvendit dhe me Bisera Kostandinovska-Stojçevska, ministre aktuale e Kulturës.
Në zonën e zgjedhore 6 LSDM do të përballet me partitë shqiptare dhe maqedonase me tandemin Sllavjanka Petrova, ministre aktuale e mbrojtjes dhe Agron Demiri, anëtar i rinisë në LSDM.
Në listat e LSDM-së bien në sy dy shqiptarë në vendet e garantuara për deputet, Fatmir Bytyqi dhe Agron Demiri.
Bytyqi njihet në opinion si zv.kryeministër aktual në Qeverinë e udhëhequr nga LSDM, i cili është i caktuar për çështje ekonomike në shtet. Agron Demiri është i vendosur në listë si përfaqësues i rinisë së partisë dhe për të mbështetur konceptin e LSDM-së “shoqëri për të gjithë” ku në shtatë vitet e fundit janë përfshirë kuadro shqiptarë nëpër listat e kësaj partie.
Bytyqi caktimin e tij nga partia si bashkëudhëheqës i listët së dytë zgjedhore, e cilëson si një mundësi për të qenë më afër qytetarëve, pas viteve të shërbimit si zyrtar qeveritar.
“Nuk ndalojmë, fitorja e Maqedonisë evropiane më 8 maj është e pashmangshme” ka thënë Bytyqi me një prononcim menjeherë pasi mori besimin e kongresit të partisë.
Nga ana tjetër Demiri, i dyti në zonën zgjedhore 6 ka thënë “Dua t’u informoj se unë Agron Demiri do të jem i dyti në listë dhe do kërkoj përkrahjen tuaj. Falenderoj tejmase kryesinë, organet e partisë, miqtë dhe familjarët për mbështetjen pa rezervë gjatë kësaj periudhe. Nëse duam progres të vendit, koncepti një shoqëri për të gjithë duhet me doemos të jetë fitues. Në të kundërtën do të pësojme vetëm regres, gjë që nuk e dëshiron absolutisht askush në vendin tonë” ka shkruar Demiri në Facebook.
Përndryshe, Demiri është ish-kryetar i Unionit studentor në UEJL dhe ish student i shkencave të komunikimit po në këtë universitet. /Telegrafi/
LSDM publikoi bartësit e listave për zgjedhjet kuvendare, dy shqiptarë në pozita të garantuara appeared first on Telegrafi.