LSDM dënon paaftësinë e qeverisë së udhëhequr nga Hristijan Mickoski për të siguruar një sistem energjetik stabil dhe të qëndrueshëm. Në vend që të investojë në rritjen e prodhimit vendas të energjisë elektrike, qeveria po importon sërish energji elektrike të shtrenjtë. Vetëm për këtë muaj qytetarët do të paguajnë 10 milionë euro shtesë, ndërsa për tre muajt e fundit shuma totale për import ka kaluar 20 milionë euro, thuhet në kumtesën e sotme të LSDM-së.
Një shpenzim i tillë, theksojnë nga atje, paguhet drejtpërdrejt nga qytetarët, të cilët tashmë po vuajnë nga faturat e larta të energjisë elektrike. Ky është rezultat i drejtpërdrejtë i paaftësisë së qeverisë për të menaxhuar burimet tona më të mëdha energjetike.
“TEC Manastiri, objekti më i madh energjetik vendor, nuk punonte për një kohë të gjatë, ndërsa tani punon vetëm pjesërisht, për shkak se remonti që është dashur të përfundojë shumë kohë më parë, ende është duke vazhduar. Gjithashtu, hidropotencialet, të cilat duhet të sigurojnë një sasi të konsiderueshme energjie, funksionojnë me vetëm 13% të energjisë së tyre të akumuluar, e cila është shumë më e ulët se kapaciteti mesatar”, thonë nga LSDM.
Kjo qeveri, shtojnë nga atje, është e paaftë për të zgjidhur problemet e energjisë dhe i lë qytetarët vetëm me borxhe dhe fatura të shtrenjta. Në vend të politikës së përgjegjshme energjetike dhe investimeve në burimet e rinovueshme dhe rritjes së prodhimit vendas, kemi kaos, energji elektrike të shtrenjtë dhe pakujdesi kronike./Telegrafi/
LSDM: Mickoski nuk ka arritur të sigurojë një sistem energjetik stabil appeared first on Telegrafi.