
Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) sot zgjedh kryetarin e ri të partisë. Lideri aktual i LSDM-së, Venko Filipçe, është kandidati i vetëm për kryetar partie në zgjedhjet e rregullta brenda partisë.
Zgjedhjet do të mbahen në organizatat komunale të LSDM-së në mbarë vendin në 78 vendvotime, të cilat do të jenë të hapura nga ora 08:00 deri në ora 20:00 të ditës së votimit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është përgjegjës për zhvillimin e votimit.
LSDM njofton se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar dhe mbyllur Listën Zgjedhore, në të cilën aktivisht janë regjistruar 23.712 anëtarë, është siguruar materiali zgjedhor, ekranet e fshehtësisë së votimit, kutitë e votimit, tabelat dhe gjithçka që është e nevojshme për ditën e zgjedhjeve.
“Të gjithë anëtarët e LSDM-së të regjistruar në mënyrë aktive do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për votim të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë për zgjedhjen e presidentit në komunën e tyre në një vendvotim të përshtatshëm. Anëtarët që votojnë duhet të kenë me vete kartën elektronike të anëtarësimit të LSDM-së dhe një dokument identifikimi personal të vlefshëm (kartë identiteti ose pasaportë). Votimi për të sëmurët dhe të pafuqishmit mundësohet një ditë më parë, pra të shtunën, më 5 prill 2025”, njoftuan nga LSDM.
LSDM-ja informoi se informacionet për rezultatin do të bëhen të ditura sot pas përfundimit të procesit të votimit.
LSDM: Mbi 23 mijë anëtarë të partisë sot zgjedhin kryetarin e ri, votohet në 78 vendvotime appeared first on Telegrafi.