Pavarësisht se Sofja zyrtare kërkoi që marrëdhëniet dypalëshe me Bullgarinë të mos jenë pjesë e fushatës parazgjedhore në vend, dy partitë më të mëdha vazhduan me akuzat e ndërsjella se kush është më afër politikanëve bullgarë.

OBRM-PDUKM-ja ka akuzuar se presidenti Stevo Pendarovski është përshëndetur nga eurodeputeti bullgar Andrej Kovaçev, për shkak të një deklarate kundërthënëse lidhur me origjinën e revolucionarit Goce Dellçev. Sipas partisë opozitare, kjo sjellje e Pendarovskit ka kontribuar që Maqedonia të bllokohet në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“Stevo Pendarovski shkatërroi pozicionet maqedonase dhe poshtëroi kombin kur tha se Goce Dellçevi është deklaruar bullgar. Stevo Pendarovskin për qëndrimin e tij e përshëndeti dhe inkurajoi personalisht Andrej Kovaçevi. Ndryshe nga mbështetja për Pendarovskin, Kovaçevi e sulmoi kryetarin Mickoski sepse i bëri thirrje Stevos të tërhiqej nga qëndrimet e tij”, deklaroi Mile Lefkov – OBRM-PDUKM.

Socialdemokratët dje kanë theksuar se kandidatja për kryetare të shtetit nga radhët e OBRM-PDUKM-së, Gordana Siljanovska Davkova, është fotografuar me eurodeputetin bullgar Andrej Kovaçev, i cili njihet për qëndrimet radikale ndaj Maqedonisë. Fotografia, megjithatë është bërë para pesë vitesh. Por pavarësisht kësaj, sot nga partia në pushtet njoftuan se edhe Mickoski ka pasur foto me politikanin kontrovers, ndaj kanë pyetur se cila është lidhja mes tyre?

“Nuk është vetëm Gordana Siljanovska, krenar për foton me eurodeputetin bullgar Andrej Kovaçev është edhe Hristijan Mickoski. Andrej Kovaçev është mohues i njohur i popullit maqedonas. Ai publikisht theksonte se Goce Dellçevi është bullgar, se vëllezërit Milladinov kanë shkruar këngë popullore bullgare, e jo Fjalor, se historia jonë është e falsifikuar. Çfarë ka të përbashkët Mickoski me Kovaçevin?”, thonë nga LSDM.

Ka reaguar edhe Sofja zyrtare, e cila ka kërkuar që Bullgaria dhe marrëdhëniet dypalëshe të mos jenë pjesë e debatit politik parazgjedhor në vend. Sipas fqinjëve, kjo temë përdoret për shkak të mungesës së progresit në Maqedoni. Reagimi erdhi pasi kreu i shtetit Stevo Pendarovski në një intervistë televizive tha se pakica maqedonase në Bullgari ishte subjekt i torturave.

MPJ sqaroi se ambasadorja jonë në Bullgari, Agnesa Rusi Popovska, është thirrur në Ministrinë e atjeshme për ta informuar se sipas Marrëveshjes ndërmjet dy vendeve të arritur në vitin 1999, Maqedonia ka marrë përsipër të mos ndërhyjë në çështjen e të drejtave të pakicave në Bullgari.

LSDM dhe OBRM-PDUKM përplasen për Goce Dellçevin appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version