Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, së bashku me kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, sot vizituan IPKKF “Rinia ” – Tetovë.

Siç njoftojnë nga kabineti i Limanit, shkak i vizitës janë 42 punësimet e reja të edukatoreve dhe përkëdhelëseve në këtë institucion publik, 13 në bazë të pensionimit gjegjësisht vendeve të zbrazura të punës dhe 29 punësime për objektin e ri “Rilindja”, i cili do të hapet së shpejti.

Ministri Limani u shpreh i kënaqur që më në fund është zgjidhur problemi me personelin në këtë institucion publik.

“Më gëzon fakti që pas 2 vitesh ngecje të procesit të punësimit në këtë institucion publik, më në fund arritëm të realizonim nevojat e personelit në të. Me kënaqësi ju njoftoj se është siguruar punësimi për objektin e ri “Rilindja”, i cili së shpejti do të hapet zyrtarisht”, nënvizoi Limani.

Ai theksoi se sigurimi i kuadrit profesional në kopshtet e fëmijëve dhe investimi në forcimin e kompetencave të tyre kontribuon në cilësinë e procesit arsimor, si dhe se ministria do të vazhdojë të punojë me përkushtim në drejtim të ofrimit të edukimit parashkollor sipas standardeve të parapara.

Institucioni publik “Rinia” është një nga institucionet më të mëdha në vend për edukimin parashkollor për sa i përket kapacitetit të fëmijëve, me hapjen e objektit të ri “Rilindja”, listat e pritjes për regjistrim në kopshtin e fëmijëve pritet të përfundojnë./Telegrafi/

Limani: Kopshti “Rinia” në Tetovë me 42 vende të reja pune appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version