Tashmë një kohë po paralajmërohet ligji për përfaqësim të drejtë, i cili duhet të zëvendësojë balancuesin, por ende nuk ka asgjë konkrete. Madje partnerët e koalicionit qeverisës japin deklarata të ndryshme. Ministri i administratës Goran Minçev theksoi se nuk ka as grup pune, por deputeti Halil Snopçe e demanton.

“Jo, ende nuk është formuar grupi i punës, por unë jam i bindur se qeveria ka kapacitet politik dhe mundësi që të gjendet një zgjidhje serioze, sistematike dhe cilësore. Përsëris, nuk duhet shpejtuar”, tha Goran Minçev – ministër i Administratës.

“Dëshiroj të demantoj ministrin nëse ka thënë një gjë të tillë, nuk e kam dëgjuar – grup i tillë i punës ekziston dhe përbëhet nga përfaqësues të koalicionit VLEN, OBRM-PDUKM-së dhe ZNAM. Përfaqësues i ZNAM-it është vet ministri, z. Minçev dhe deri më tani ai grup pune ka mbajtur dy takime”, potencoi Halil Snopçe nga koalicioni VLEN.

Edhe pse Minçev dhe Snopçe nuk kanë qëndrim të njëjtë në lidhje me atë se a ekziston grup i tillë, megjithatë pajtohen se përfaqësimi i drejtë është kategori kushtetuese. Deputeti u përgjigj pse deri më tani propozimi i koalicionit VLEN nuk është vendosur në debat publik, edhe pse sipas paralajmërimeve debati tashmë duhej të mbahet.

“Garanca kushtetuese për përfaqësim të drejtë dhe të barabartë duhet të zgjidhet me ligj, d.m.th. është formuar grup pune që të ketë propozim që duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i pranueshëm nga të gjithë, të mos shkojmë nga njëra anë”, shtoi Halil Snopçe nga koalicioni VLEN.

Ministri Minçev thotë se me shumë gjasa në të ardhmen po përgatitet Ligj për përfaqësim të drejtë, por nuk e përjashton mundësinë që Balancuesi të vendoset përmes ndryshimeve në ligje tashmë ekzistuese për administratën, e jo përmes një ligji të ri.

Ligji për përfaqësim të drejtë, përplasje mes partive në pushtet appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version