Koalicioni “Lidhja Evropiane për Ndryshime” ka dalë me reagim në lidhje me rrogat e funksionarëve në vend. Nga LEN thonë se zhvatja e popullit në çdo formë të mundshme është sëmundje kronike e këtij pushteti.
Nga LEN theksojnë se “tash që po afrohen zgjedhjet, pushteti filloi të bëjë fushatë parazgjedhore, duke manipuluar popullin me gjoja masa antikrizë, me të cilat, vetëm për pesë muaj, nxënësve do u shpërndajë nga 1.200 denarë (20€), pensionistëve nga 3.000 denarë (50€), por ama paturpësia shpejt u doli në shesh, sepse nga muaji janar, ky pushtet aktual i LSDM-së, BDI-së dhe ASH-së i rrisin pagat për mbi dy mijë funksionarë të tyre me nga 24.000 denarë (400 €)”.
“Kjo rritje e rrogës ndodh për shkak të rritjes së pagës mesatare. Megjithatë, ndodh vetëm disa muaj pasi pushteti rriti pagat e funksionarëve me 78%. Dhe me rritjen e fundit, tani shumica e funksionarëve të pushtetit do të kenë paga nga 2500€ deri në 3000 €. Por ama lavdërohen se e kanë rritur pagën minimale në 22.500 denarë ose rreth 370 €”.
“A ka turp më të madh, a ka zhvatje më të madhe, a ka dyftyrësi më të madhe se kjo qeveri dhe funksionarët e saj. Imagjinoni pas disa muajve do të dalin të kërkojnë votën e qytetarëve dhe me paturpësi do të thonë; na votoni ne që kemi rroga prej 3000€, sepse ne i bëmë rrogat tuaja nga 370€!”, thonë nga LEN.
Lidhja Europiane për Ndryshim fton institucionet relevante që ta shqyrtojnë sa më shpejtë këtë çështje dhe të gjejnë zgjidhjen ligjore që pagat e funksionarëve të jenë në përputhshmëri me standardin e qytetarëve e jo me dëshirën e pushtetit.
“Në qoftë se kjo Qeveri do të hesht, Lidhja Europiane për Ndryshim zotohet se sapo të fitojë besimin e popullit, që në ditët e para të udhëheqjes së saj me institucionet seriozisht do ta shqyrtojë çështjen e pagave mujore të funksionarëve shtetëror, me ç’rast do të krijojë kushte që dallimet të jenë në kornizat e mundësive reale, ndërsa do të punojë që të rriten pagat e qytetarëve”, thonë nga LEN./Telegrafi/
Lidhja Europiane për Ndryshim: Pushteti po zhvat qytetarët, do të rrit pagat e funksionarëve për 400 euro appeared first on Telegrafi.