Në Maqedoninë e Veriut është duke vijuar fushata për zgjedhjet presidenciale e cila ka nisur më 4 prill. Kandidatët për president gjatë ditës së sotme kanë vazhduar me aktivitetet e tyre.
Nga tubimi në Kavadar, kandidati për president i mbështetur nga LSDM Stevo Pendarovski tha se një ndër arritjet më të mëdha të këtij pushteti, që nga viti 1991 është anëtarësimi i vendit në NATO. Pendarovski tha se pa siguri nuk mund të ketë as zhvillim ekonomik. Ai tha se në rrugën drejt BE-së vendi u bllokua nga fqinji lindor me kushtet por edhe opozita në Maqedoni me bllokimin e ndryshimeve kushtetuese
“Punën më të madhe që e bëmë që nuk e ka bërë asnjë garniturë politike nga 91 deri më sot është hyrja jonë në aleancën e NATO-s me çka përfundimisht morëm tapinë për integritetin tonë territorial dhe sovranitetin dhe për sigurinë e çdo qytetari të Maqedonisë. Fqinji ynë lindor tregoi sjellje joevropian dhe na pengoi me bllokadë, megjithatë opozita në Maqedoni, për shkaqe të panjohura për mua, sigurisht të arrijë deri tek pushteti sa më shpejtë, i bllokoi ndryshimet kushtetuese dhe praktikisht na vetëizoloi për të disatën herë”, deklaroi Stevo Pendarovski.
Kandidatja e OBRM-PDUKM-së për presidente, Gordana Siljanovska-Davkova në tubimin e mbrëmshëm në Strumicë tha se do të punojë për të ndaluar largimin nga vendi e njerëzve, duke i bindur më të mirët të qëndrojnë në vend. Ajo paralajmëroi edhe hapjen e zyrave të presidentit nëpër qytete. Siljanovska tha se gjeografikisht e historikisht vendi i takon BE-së duke shtuar se është për standarde evropiane
“Kur gjykoni se kush është për BE-në dhe kush është kundër, mos u besoni fjalëve boshe. Kërkohet vepra. Arsim i mirë, shëndet i mirë, mbrojtje e mirë sociale, politikë e mirë kulturore, ekonomi me prosperitet, shtet standarat, shtet evropian, shtet qytetar, pasi askush nuk ju do në shtëpi, madje as si mysafir nëse nuk respektoni standarde dhe rregulla”, deklaroi Gordana Siljanovska-Davkova.
Kandidati për president i koalicionit “Guximshëm për Maqedoninë”, Stevço Jakimovski tha sot se ekonomia vendor duhet urgjentisht të mendojë për zhvillimin e industrisë së dedikuar. Sipas tij, në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Shkup duhet të hapet Departamenti i Armatimeve.
“Lufta në Ukrainë një ditë duhet të përfundoj dhe kjo do të thotë se ne duhet ta përgatisin ekonominë tonë që të marrë pjesë në tregun ukrainas në pjesën që ka të bëjë me ushqimin, tregtinë, prodhimin e materialeve, lëndëve të para, në veçanti në pjesën e materialeve ndërtimore. Gjithashtu, duhet të përgatisni operativën tonë si për ndërtimet e ulëta ashtu edhe për të lartat, pasi për Ukrainën do të ketë një plan Marshall pasi ku vend duhet të rindërtohet ndërsa Maqedonia është vendin e pestë për kokë banori për ndihmën që ka ofruar për ushtrinë ukrainase”, tha Stevçe Jakimovski.
Kandidati Bujar Osmani i shoqëruar nga kreu i partisë turke TDP, Bejxhan Iljas kanë realizuar takime me qytetarë në Radovish dhe Shtip, ku ka prezantuar programin e tij. Osmani ka falënderuar qytetarët për mbështetjen: “Mbështetja është nderi më i madh në jetë që ma bëni. Do ta respektoj mbështetjen tuaj me gjithë qenien time. Nuk do ju zhgënjej”.
“Vlerësoj se ky shtet meriton më shumë. Dua të gjithë komunitetet të kenë sukses në këtë shtet dhe përmes këtij shteti. Prandaj edhe formuan këtë Front Europian. T’i vendosim mur nacionalizmit, t’i vendosim mur izolimit dhe bllokadës dhe të mundësojmë integrim europian. Në këto zgjedhje s’kam folur për veten sepse brenda 7 viteve keni pasur mundësi të më vlerësoni”, tha Osmani para të pranishmëve.
Në takimin me banorët e Lisiçes, kandidatja e partisë “E Majta” për presidente Biljana Vankovska tha se qytetarët e Maqedonisë nuk duhet të jenë qiramarrës në atdheun e vet.
Vankovska para banorëve të Lisiçes theksoi vendosmërinë e saj siç tha për prishjen e tri marrëveshjeve që sipas saj nuk i sollën asgjë të mirë Maqedonisë, si dhe për miratimin e një Kushtetute të re. ”Këto ditë, ndërsa shkoj në takime me qytetarë në shumë vende të Maqedonisë, ndjej ngrohtësinë e njerëzve. E ndjej se si jemi pranuar kudo me gëzim. Tashmë mund të ndihet ardhja e valës së kuqe, siç e quajnë të rinjtë nga e majta”, tha Vankovska.
Kandidati për president të shtetit i mbështetur nga koalicioni opozitar shqiptar “VLEN”, Arben Taravari në një deklaratë për mediat pasditen e sotme ka theksuar se pret të shkojë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të planifikuar për më 24 prill.
“Shpresojmë shumë që të kalojmë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Megjithatë, është ende sovrani ai që vendos për 24 prill. Do të bëjmë çmos që fushata të jetë pozitive dhe të fitojmë sa më shumë mbështetje nga qytetarët”, tha Taravari.
Maksim Dimitrievski, kandidati për president sot qëndroi në Shkup. Ai në një deklaratë për media theksoi se është duke bërë një fushatë pozitive, takohet me një numër të madh të qytetarëve dhe diskuton hapur për programin e tij “Manifesti për Maqedoninë” dhe problemet e përditshme të qytetarëve.
“Pjesëmarrja është e madhe, interesimi për mua si kandidat për president dhe për Lëvizjen ZNAM – Për Maqedoninë tonë si subjekt politik çdo ditë e më shumë po rritet”, tha Dimitrievski. Ai shtoi se pavarësisht se po bëjnë një fushatë pozitive, presionet ndaj qeverisë po shtohen dita-ditës./Telegrafi/
Kushtetutë të re, integrim në BE dhe jetë më të mirë – disa nga premtimet e kandidatëve për president në ditën e tetë të fushatës appeared first on Telegrafi.