Çmimi prodhues i grurit kushton më pak se 14 denarë për kilogram. Çmimi është përcaktuar nga Fakulteti i Bujqësisë në Universitetin “Shën Cirili e Metodi” – Shkup, njofton kryetari i Rrjetit kombëtar të fermerëve, Gjorgi Karakashev.
Ai thotë se nuk janë të kënaqur, sepse çmimi i prodhimit është më i lartë se çmimi i blerjes. Thekson se gjendja e tregut është edhe më shqetësuese, sepse aktualisht kokrra e bukës blihet me çmim prej tetë deri në 11 denarë për kilogram.
“Nuk jemi dakord për atë çmim të prodhimit. Sipas përcaktimit të ligjit kemi nga çmimi i prodhimit plus 25 për qind, pra ky është çmimi i garantuar i grurit në Maqedoni. Fatkeqësisht, tani në terren kemi një tërbim të përgjithshëm nga blerësit, mullixhinjtë, nuk respektojnë asnjë logjikë ekonomike. Shteti duhet të përfshihet sa më shumë dhe t’i ndihmojë fermerët që të mbijetojnë këtë periudhë të vështirë”, thekson Karakashev.
Shton se gruri është një kulturë strategjike dhe për këtë po kërkojnë nga Rrjeti kombëtar i fermerëve që të ndërhyjë përmes Ligjit për zhvillim rural.
Sipas fermerëve, më shumë se 80 për qind e arave me grurë janë korrur. Karakashev thotë se këtë vit pritet një rendiment i përgjithshëm prej 180.0000 deri në 200.000 ton grurë, që është rreth 60 për qind e nevojave të popullsisë.
Kultivuesit e grurit në RMV të pakënaqur me çmimin, Karakashev: Kushton më pak se 14 denarë për kilogram appeared first on Telegrafi.