Kryetarët e komunave të Kavadarcit, Gjevgjelisë dhe Demir Kapisë, Mitko Jançev, Andon Saramandov dhe Llazar Petrov, tetë shoqata të qytetarëve mjedisorë dhe alpinistë, me mbështetjen e profesorëve të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, nisën iniciativën për shpalljen e malit Kozhuf Park Kombëtar njoftuan iniciatorët.
Siç thuhet në njoftim, mali Kozhuf gjendet në territorin e komunave Kavadarcit, Demir Kapi dhe Gjevgjeli. Me një sipërfaqe prej 893 kilometra katrorë, është një nga malet e pakta në Maqedoni me florë, faunë jashtëzakonisht të pasur dhe unike, veçanti gjeologjike, burime ujore, veçori kulturore dhe historike me rëndësi kombëtare.
“Për arsye gjeopolitike, në tetë dekadat e kaluara, Mali i Kozhufit në mënyrë të pajustifikueshme ishte i përjashtuar nga kujdesi dhe interesi i shtetit për mbrojtjen dhe ruajtjen e tij. Nga veprimtaritë shkencore dhe kërkimore të kryera në dyqind vitet e fundit, është dëshmuar se mali i Kozhufit ka vlera të rëndësisë ndërkombëtare në shumë aspekte. Prandaj, kryetarët e komunave të Kavadarcit, Demir Kapisë dhe Gjevgjelisë, së bashku me dhjetëra shoqata mjedisore dhe alpinistike, morën një vendim historik dhe nisën iniciativën për shpalljen e malit Kozhuf park kombëtar”, thuhet në njoftim.
Ata shtojnë se me shpalljen e malit Kozhuf Park Kombëtar, ky thesar i jashtëzakonshëm natyror jo vetëm që do të mbrohet, por do të kontribuojë edhe në një zhvillim dhe ngritje të madhe ekonomike dhe sociale të rajonit dhe të vendit në tërësi.
Nënshkruesit e kësaj nisme sqarojnë se në fillim të këtij viti do të fillojnë aktivitetet për përgatitjen e Studimit të Valorizimit të parkut kombëtar, i cili duhet të jetë gati në një periudhë 2 deri në 3 vjet. Më pas, studimi i dorëzohet Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe më pas Qeveria i dorëzon Kuvendit të Maqedonisë propozim për shpalljen e malit Kozhuf si park kombëtar. /Telegrafi/
Kryetarët e bashkive nisën një iniciativë për shpalljen e malit Kozhuf park kombëtar appeared first on Telegrafi.