Vitin e kaluar, krahasuar me vitin 2022, kostoja e jetesës është rritur për 9,4 për qind, ndërsa çmimet e shitjes me pakicë për 7 për qind, ka bërë të ditur Enti Shtetëror i Statistikave. Ndërkohë, sipas Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë 56.522 denarë i duhen një familje katër anëtarëshe, me dy fëmijë në shkollë, për të mbuluar shpenzimet elementare mujore.

Nga LSM tashmë kanë bërë të ditur se sipas Metodologjisë së re të ekspertëve ekonomikë, më të prekur janë familjet që paguajnë qira, sepse shporta e tyre sindikale është më e shtrenjtë për 21.324 denarë për shkak të qirasë, ujit, rrymës dhe ngrohjes. Qytetarët thanë për Alsat se çdo ditë po e mbijetojnë me vështirësi, posaçërisht pensionistët.

“Vetëm ilaçe dhe faturat. Duhet të mbash llogari që t’i arrish. Ushqimi dhe ilaçet janë shtrenjtuar më shumë. Bëni kujdes çfarë blini? Po. Shiko, paguaj faturat dhe bëj kujdes çfarë blej”, tha një qytetare.

“Një rrogë është për tre ditë, më shumë nuk zgjat, harxhohet sepse rrogat janë minimale. Me 20 mijë denarë asgjë nuk bëhet. Tash për tash rroga nuk duhet me qenë nën 1 mijë euro, kjo assesi nuk mund të bëhet në këtë shtet. Nuk ka kurrgjë që është lirë, çka do që të marrësh për standardin tonë është shtrenjtë. Një gjë nuk është patjetër me marr nuk e marrim atë”, u shpreh njw qytetar.

“Çfarë mundesh përveç se të ushqehesh, të paguash ujin, rrymën dhe ngrohjen, kjo është”, theksoi njw qytetar.

Disa prej qytetarëve thanë se detyrohen të bëjnë edhe punë të dytë për të mbuluar shpenzimet dhe për të siguruar ushqim të mjaftueshëm.

“Çka mundem me bë me 15 mijë denarë. 3 mijë denarë më shkojnë vetëm për ilaçe, pastaj telefoni, për bukë e për të ngrënë nuk ka hiç. Ky shtet nuk mendon për të varfrit, vetëm po i shkel të varfrit a për vete vjedhin mjaft”, pohoi një qytetar tjetër.

“Me një rrogë kalojmë dy javë, dy javët e tjera presim nëse mund ta gjejmë një punë tjetër, nëse jo rrimë ashtu. 90 % jetojmë me vështirësi, 10 % gjendemi disi. Verës është më ndryshe ama dimrit është vështirësi e madhe”, tha një qytetar.

Sipas Entit të Statistikave rritje të indekseve është vërejtur në grupet: mobilie, amvisëri dhe mirëmbajtje shtëpiake me 13.6%, restorante dhe hotele me 12.7%, ushqime dhe pije joalkoolike me 11.7%, mallra dhe shërbime të ndryshme me 11.6%, banesa, ujë, energji elektrike. gazi dhe lëndët djegëse të tjera për 10.4%, pijet alkoolike, argëtimi dhe kultura për 6.7%, shëndeti për 4.6%, veshmbathja për 4.4%, arsimi për 2.9%, komunikimi për 1.1% dhe transporti për 0.5%./Alsat/

Kostoja e jetesës në Maqedoninë e Veriut është rritur për 9,4 për qind appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version