Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut publikoi pikat kryesore nga fushat në të cilat operon: drejtësia, monitorimi dhe avokimi në burgje dhe institucione psikiatrike, gjuha e urrejtjes, krimi, barazia gjinore, mbrojtja nga diskriminimi, si dhe ofrimin e ndihmës juridike falas, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Në bazë të gjetjeve të dala nga puna e Komitetit të Helsinkit në vitin 2023, mund të konstatohet se nuk është bërë ndonjë progres i dukshëm në sistemin ligjor dhe institucional për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.
Komiteti i Helsinkit, si anëtar i grupit Blueprint për reformat në drejtësi, u tërhoq nga pjesëmarrja e mëtejshme në hartimin e Kodit të ri Penal, pasi ndryshimet e tij në shtator 2023, pjesëmarrja e organizatave të shoqërisë civile u bë e pakuptimtë në një procedurë që legjitimon në thelb paligjshmërinë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ulja e dënimeve të tre akteve kyçe për luftën kundër krimit të lartë dhe korrupsionit legjitimoi mosndëshkimin ndaj zyrtarëve të lartë dhe funksionarëve publikë.
Komiteti i Helsinkit ka dorëzuar iniciativë në Gjykatën Kushtetuese të RMV-së për vlerësimin e kushtetutshmërisë së neneve të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërtim dhe Ligjit për marrëdhëniet e punës (LMP), lidhur me realizimin e Marrëveshjes me Bechtel&Enka” për ndërtimin e katër seksioneve të autostradave të korridoreve 8 dhe 10d. Duke përdorur termin interes strategjik kombëtar si bazë për vendosjen e rregullave paralele, mundësohet ekzistimi i zgjidhjeve të avancuara ligjore për marrëdhëniet e punës. Rezultati i kësaj është pasiguria juridike dhe pabarazia e qytetarëve para Kushtetutës dhe ligjeve.
Në fillim të vitit 2024, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Osman Kadriu, në mendimin e tij të veçantë pretendon se rregullorja për objektet me interes strategjik është në kundërshtim me Kushtetutën dhe është në kundërshtim me sundimin e ligjit.
Pas një padie actio popularis (padi për interes publik) nga Komiteti i Helsinkit, në vitin 2023 gjykatat e vendit konstatuan se Qeveria e RMV-së dhe Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) kanë kryer diskriminim të drejtpërdrejtë ndaj personave me aftësi të kufizuara në ushtrimin e të drejtës së tyre të votës.
Një nga kërcënimet më të mëdha për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe luftën kundër diskriminimit është mosbesimi i qytetarëve ndaj institucioneve.
Komiteti i Helsinkit ka realizuar gjithsej 10 vizita në institucionet penitenciare në burgjet e Idrizovës, Shtipit, Prilepit dhe Burgun e Kumanovës. Personat e dënuar nuk kanë qasje adekuate në kujdesin shëndetësor, kushtet materiale të jetesës janë të këqija, kurse programet e risocializimit, kushtet për zbatimin e tyre dhe ndihma pas dënimit janë ende të pamjaftueshme dhe të pazbatueshme.
Kujdesi shëndetësor në burgun e Idrizovës ofrohet nga 1 mjek dhe 2 infermiere, të cilët vizitojnë institucionin me mbi 1.000 të dënuar, vetëm disa orë në ditë.
Personat e dënuar na informojnë rregullisht për korrupsionin në burgje, por nga frika se mos humbasin të drejtat dhe komoditetet e tyre, nuk duan t’i raportojnë zyrtarisht këto raste./Telegrafi/
Komiteti i Helsinkit: Në burgun e Idrizovës vetëm një mjek dhe dy infermiere kujdesen për mbi 1000 të burgosur appeared first on Telegrafi.