
Katërmbëdhjetë persona janë proceduar penalisht dhe për ta Prokuroria do të kërkojë masën e arrestit me burgim, mes të cilëve edhe ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Prokurori i Shtetit Ljupço Kocevski informoi se kryetari i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, i cili më herët ka dhënë dorëheqje, aktualisht ndodhet në ndërtesën e Prokurorisë duke dhënë deklaratë.
Ai tha se ekipi i prokurorisë është zgjeruar në 9 prokurorë publikë, të cilët janë duke punuar intensivisht për të siguruar dëshmi për tragjedinë me të cilën u përball Koçani.
“Dje dhe sot janë lëshuar shumë urdhra dhe veprime. Ndër to, janë dhënë në vend 59 urdhra për autopsi, urdhra për sigurimin e video-materialeve, pajisjen me dokumentacion nga personi juridik dhe këqyrjen e celularëve. Me urdhër të siguruar përmes Prokurorisë Publike janë bërë bastisje në Ministrinë e Ekonomisë dhe dy institucione tjera. Policia është e autorizuar të arrestojë këdo që ka kontribuar në pasojat katastrofike, me veprime apo mosveprime të tyre”, tha Kocevski.
Ai tha se Prokuroria ka kërkuar me urgjencë përfshirjen e inspektoratit të ndërtimit dhe të punës.
“Ne vlerësojmë se këto gjetje janë ato që do të përcaktojnë të gjithë procedurën. Ka pasur indikatorë të mospërputhshmërisë që kur ky objekt është vënë në funksion dhe funksionon. Duke qenë se ka një organ të centralizuar të punës në shërbimet inspektuese, do të dërgohet kërkesa në këshillin inspektues për gjetjen e palës përgjegjëse me veprimin apo mosveprimin e të cilit ka ardhur deri te ky rezultat”, tha Kocevski.
“Unë premtoj se hetimi do të jetë i shpejtë, efikas dhe të gjithë ata që kanë kryer akte inkriminuese do të mbajnë përgjegjësi. E kuptoj zemërimin që ndjejnë qytetarët, por apeloj që në këtë moment të bashkohemi me qetësi, t’u kërkojmë përgjegjësi përgjegjësve”, tha ai.
Ai theksoi se përgjegjësia do të vlerësohet aktualisht përmes veprës penale “krime të rënda kundër sigurisë publike”, e cila parashikon dënim me burg nga të paktën 3 deri në 20 vite.
Kocevski tha gjithashtu se i hedh poshtë të gjitha spekulimet për efektet e mundshme të ndryshimeve në Kodin Penal si të pabazuara dhe manipulative.
Ai shpjegoi se opinioni nuk duhet të mashtrohet nga fakti se urdhërohen paraburgime prej 48 orësh dhe jo më shumë./Telegrafi/
Kocevski: Hetimet do të jenë të shpejta dhe efikase, policia është urdhëruar të arrestojë çdo person përgjegjës për zjarrin në Koçan appeared first on Telegrafi.