Dyshimet për veprime jo ligjore në Lotarinë Shtetërore, një prej institucioneve që është nën hetim për keqpërdorime të shumta financiare pritet së shpejti të shtrohen në kallëzime konkrete penale. Prokuroria Publike tha për Alsat se organet kompetente vazhdojnë të kryejnë kontrolle për të gjitha akuzat publike që kanë të bëjnë me keqpërdorime të mundshme në këtë institucion shtetëror.
“Lidhur me pretendimet lidhur me rastin e Lotarisë shtetërore, po bëhen hapa në procedurë para hetimore”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike- Shkup.
Pasi Përparim Bajrami mori postin e drejtorin në Lotarinë e shtetit, duke zëvendësuar Aleksandar Klimoskin, hetuesit çdo ditë kontrollojnë vendimet dhe kontratat e lidhura gjatë mandatit të fundit. Siç raporton Radio Evropa e Lirë, Lotaria shtetërore për 13 muaj i ka paguar mbi 300 mijë euro kompanisë “Hej” për dhënien me qira të ish-restorantit për dasma “Festina” në Vizbeg, i cili ruan terminalet e lojërave të fatit të blera për 19 milionë euro. Lotaria Shtetërore i ka paguar 25 mijë euro kompanisë “Hej” për dhënien me qira të hapësirës që nga korriku i vitit të kaluar. Kjo kompani është e njohur për publikun, sepse drejtohej nga njerëz të afërt me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, si dhe njerëz të afërt të ish-deputetit Ismail Jahoski. Nga ajo që tashmë dihet në opinion, grupi hetimor i MPB-së dhe hetues të Prokurorisë së Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po kontrollojnë gjithë dokumentacionin që lidhet me shpalljet e publikuara, tenderët, kontratat e lidhura, por edhe çdo dokumentacion tjetër shoqërues në lidhje me prokurimet publike. Krahas kësaj, nën hetim është edhe themelimi i tre kompanive të reja për organizimin e lojërave të fatit: “77 Bits”, “Vesuv” dhe “Mozart”. Në këto kompani, shoqëria aksionare shtetërore ka 51% të pronësisë ndërsa kompanitë private nga Bullgaria, Serbia dhe Mali i Zi, si bashkëpronarë posedojnë 49%. Një muaj më parë, me vendim të Qeverisë, dhe më parë në bazë të interpretimit autentik të disa neneve të Ligjit për Lojërat e Fatit, u konstatua se Lotaria shtetërore ka shpërndarë licenca në kundërshtim me ligjin. Ministria e Financave i ka dorëzuar të gjitha provat PTHP. /Alsat.mk
Keqpërdorimet e mundshme në Lotarinë Shtetërore së shpejti mund të vërtetohen appeared first on Telegrafi.